Avokati Altin Goxhaj ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me atë që ai e cilëson si sulme të porositura mediatike ndaj tij.
Në një postim në Facebook, Goxhaj rrëfen një histori, të cilën më pas e pranon vetë se është fiktive, ku pretendon se gjatë një takimi me pronarin e një televizioni kombëtar i është bërë një ofertë për të sulmuar politikisht Arlind Qorin në këmbim të përfitimeve mediatike dhe financiare.
Sipas rrëfimit të tij, oferta përfshinte një pagesë prej 2 mijë eurosh në muaj, hapësira televizive dhe promovim në platformat mediatike, ndërsa atij i kërkohej të ngrinte akuza ndaj Qorit si “ushtar i Greqisë”.
Megjithatë, në fund të postimit, Goxhaj sqaron se bëhet fjalë për një “histori”, duke lënë të kuptohet se rrëfimi është ironik dhe jo një ngjarje reale.
“Besoj e kuptoni që kjo ishte thjesht një histori”, shkruan ai, ndërsa shton se, sipas tij, disa televizione në vend nuk i japin hapësirë publike.
Postimi i avokatit ka ngjallur reagime të ndryshme në rrjetet sociale, mes komentuesve që e kanë interpretuar si satirë politike dhe të tjerëve që kanë kërkuar sqarime mbi mesazhin e tij.








