Shqipëria ka shënuar një tjetër hap në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke mbyllur përkohësisht tre kapituj negociues.
Megjithatë, sipas analizës së publikuar nga EUNews.it, pavarësisht progresit teknik, vendi mbetet ende pas në zbatimin e reformave themelore që do të përcaktojnë ritmin e negociatave deri në anëtarësim.
Keshtu, Bashkimi Evropian vendosi të mbyllë për Shqipërinë tre kapituj: Shkenca dhe Kërkimi (25), Arsimi dhe Kultura (26) si dhe Marrëdhëniet me Jashtë (30). Këta janë kapitujt e parë që Tirana arrin të mbyllë, më pak se dy muaj pasi BE-ja vlerësoi se vendi ishte gati të kalonte në këtë fazë të negociatave.
Megjithatë, sipas EUNews.it, këta kapituj konsiderohen ndër më pak problematikët në procesin e negociatave dhe nuk prekin drejtpërdrejt reformat që Brukseli i konsideron vendimtare për anëtarësimin.
Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, përgëzoi Shqipërinë për “progresin e rëndësishëm”, por njëkohësisht i bëri thirrje Tiranës të mos ngadalësojë ritmin e reformave.
“Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm. Tani duhet të vazhdojë me reformat themelore për të ecur përpara në muajt e ardhshëm”, deklaroi Byrne, citohet nga EUNews.it








