Lali Eri do t’u blejë radio të reja policëve bashkiak, që të komunikojnë për vendosjen e gjobave ndaj qytetarëve. Kryebashkiaku u sofistikon infrastrukturën e komunikimit policëve, ndërkohë që me këto lekë i mbush llogarinë një kompanie të njohur në zhvatjen e tenderëve.
Më datë 7 dhjetor 2013, Bashkia Tiranë ka firmosur tenderin me numër reference REF-85740-10-30-2023 dhe objektiv “Sistemi i Komunikimit në distancë për Policinë Bashkiake”. Përmes këtij tenderi do të krijohet një sistem komunikimi, ku përmes 300 radiove që do t’u jepen policëve do të koordinohen me njëri-tjetrin. Për këtë tender është parashikuar të shpenzohen 250 milionë lekë (pa llogaritur TVSH). Pra, afro 833 mijë e 300 lekë do të jetë kostoja vetëm për një radio.
Bravo Lali Eri e bëre Policinë Bashkiake me pajisje më të shtrenjta se Pentagoni!
Firma “AES communication” Sh.p.k në pronësi të Jani Angjeli ka përfituar në këto kushte tenderin duke konkurruar me veten e saj. Janë përfituar kështu 250 milionë lekë pa u lodhur fare, ndërsa është marrë përsipër të trajnim policët për të përdorur radiot.
Theksojmë se AES communication Shpk (Jani Angjeli) ka përfituar 7.4 milionë euro më periudhën 2014-2022 me kontrata të manipuluara kryesisht në departamentin e rendit, qoftë vendore apo në institucionet qendrore. Kjo kompani ka marrë mjaft tenderë edhe nga ish-ministri Lleshi si dhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e paraardhësit e tyre.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Thesarit, në katër vitet e fundit në tërësi kjo firma ka përfituar 6 miliardë lekë.
Emri i kompanisë fituese përmendet këtë vit, edhe në denoncimin e një biznesmeni Gerond Meçe në KPP, më 24 maj 2023, ku aludohet se Këshilli i Lartë Gjyqësor i kishte hartuar kushtet e tenderit 3.4 milionë euro për kamerat, në mënyrë që të fitonte Jani Angjeli.
Këshilli i Lartë Gjyqësor e rihapi sërish tenderin e anuluar nga Komisioni i Prokurimeve Publike, në fund të muajit Maj 2023, pas dyshimeve të forta se KLGJ kishte favorizuar një subjekt tregtar, duke e shpallur fitues.
Tenderi rezulton të jetë hapur në 29 gusht 2023, ndërsa afati përfundimtar për paraqitjen e ofertave ishte caktuar data 29 Shtator 2023.
KLGJ reflektoi edhe për vlerën financiare, e cila ishte 372 milionë lekë të reja, ndërsa në rihapjen e dytë të prokurimit u ul në 144 milionë lekë të reja.
Kujtojmë se këtë të premte, SPAK ka lëshuar 15 urdhër-arreste për aferën e inceneratorit të Tiranës, ku në pranga ka rënë një person i besuar i Erion Veliajt. Bëhet fjalë për Taulant Tushën, drejtori i Punëve Publike në bashkinë e Tiranës. Shpresojmë që edhe ky tender të vendoset në të ardhmen në mes të fletëve të dosjes hetimore të Lali Erit.