Amarildo Nikolli (Xhanej) është vetëm 35 vjeç, por përpara autoriteteve ka zbardhur ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë, Tiranë dhe Shkodër si dhe ka përmendur emra të njohur të botës së krimit që i janë futur këtij aktiviteti kur ai ndoshta ka qenë vetëm 10 vjeç.
ZËRI ka mësuar nga burime pranë grupit të hetimit, se deklarimet e tij janë kyçe në zbardhjen e disa atentateve të bujshme të viteve 2020-2023. Emri i Nikollit u pjesë e kronikave në momentin që u kap me armë zjarri në Vlorë, në pikun e sezonit turistik të vitit 2023, në zonën e Ujit të Ftohtë.
‘Shkodrani’, siç edhe thirret nga shoqëria, po qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe me fishek në fole, gati për qitje dhe dyshohej se kishte ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer një vrasje me pagesë.
Por për ‘kokën’ e kujt ishte nisur Nikolli?
Dyshimet janë për Inez Hajrullën, i cili qëndron jeton pranë kompleksit Oslo, një zonë që dikur njihte për zot Edison Harizajn, ‘faqedjegurin’.
Dhe personi që ka gjasa të qëndrojë pas këtij urdhri është Sokol Sinomataj, ‘buzëderri’, një prej emrave të vjetër të botës së krimit në Vlorë, anëtar i bandës së Gazmir Brakës, i njohur si ‘Gaxhai’.
Fakti që këtë fillim viti, iu ekzekutua djali me snajper teksa tymoste një cigare në ballkon, e përforcon më shumë këtë histori.
Siç duket, zërat që dikush ka mbërritur në Vlorë për ta eliminuar, kanë përfunduar dhe në veshët e Hajrullës, i cili dhe pse i dëmtuar në të dyja këmbët, vijon të jetë mjaft aktiv në qytetin bregdetar.
Inez Hajrulla është armiku i përbetuar i Sinomatajt, i cili ka qenë i dyshuari kryesor për vrasjen e Harizajt. Pas eliminimit të Harizajt, ishte Hajrulla ai që kaloi në krye të grupit kriminal. Hajrulla u ka shpëtuar dy atentateve. Në vitin 2017 kur u dëmtua në të dyja këmbët pasi një sasi eksplozivi shpërtheu në mjetin e tij dhe në vitin 2019, kur konsumonte një kafe në kompleksin ‘Oslo’ në zonën e Lungomares, u qëllua me breshëri plumbash nga dy makina në lëvizje.
Pas përgatitjes së dy atentateve dyshohet se qëndron Bernard Sinomataj, vëllai i Sokol Sinomataj dhe xhaxhai i Gëzim Sinomataj që u vra në ballkon. Megjithatë, ende nuk është e qartë se çfarë ka pranuar konkretisht Amarildo Nikolli (Xhanej) para prokurorëve. Ai ende nuk e ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pasi nuk janë vlerësuar informacionet që ka dorëzuar në tryezën e hetuesve.
Por, zhdukja e tij nga rrjetet sociale ngre shumë dyshime. Amarildo është mjaft i njohur në platformat e ndryshme të rrjeteve sociale, kryesisht Tik Tok, përmes partneres së tij, Giovanna Nikolli, e cila pavarësisht çdo përfshirjeje të partnerit të saj në ngjarje kriminale, nuk është tutur aspak të reklamojë jetën e tyre luksoze mes festave të pafundme me shishe shampanje, pushimet në restorte me pesë yje, dhurata të çantave të markave më të shtrenjta e tufave gjigante me trëndafila.
Jo të paktat herë kanë qenë rastet kur dyshja përfshiheshin dhe në sfida të ndryshme në Tik Tok, përmes të cilave përcillnin frymën e dy të rinjve adoleshentë.
Ata identifikohen lehtë dhe nga tatuazhet e shumta që kanë, sidomos njërin prej tyre të cilin e kanë të njëjtë, numrin 13 që e kanë gdhendur përjetësisht në qafë.
Koha kur Amarildo u burgos u pasua me një heshtje disaditore nga ana e Giovannës, por përmes një videoje, ajo sqaronte ndjekësit dhe personat që i ndiqnin se lajmi ishte i vërtetë, por që do të dilte shumë shpejt.
Ndërkohë, nuk mungonin dedikimet….
Giovanna pjesën më të madhe të kohës e kalonte pranë rrugës “Jordan Misja”, ku ndodhet burgu ‘313’ dhe thërriste emrin e të dashurit të saj.
Njëra prej videove u bë dhe virale në rrjetet sociale.
Në një tjetër video, Giovanna mundësoi ngritjen e një droni pranë burgut të sigurisë së lartë, vetëm për të filmuar Amarildon në ambientet e ajrimit. E ndoshta për shkak të një komunikimi të pandërprerë, Nikolli e dinte që personi që priste ta shihte nga ana tjetër e kamerës ishte e dashura e tij, ndaj dhe buzëqesh dhe e përshëndet me dorë…
Në fakt nuk ishte nevoja për shumë dedikime.
Ditëlindjen Giovanna e festoi e vetme, por në fundvit ishin bashkë.
Dyshja u rishfaqën në fillim të vitit 2024 së bashku, por krejt papritur ndërprenë çdo postim.
Dalja e Amarildos nga qelia, rrëfimet e zhvilluara përballë hetuesve dhe zbardhja e ngjarjeve kriminale, e kanë detyruar çiftin të heqin dorë nga jeta publike mes mijëra ndjekësish, pëlqimesh e komentesh.
Çfarë të ketë ndodhur me ta?
A është kthyer Amarildo Nikolli në një Nuredin Dumani që do të hapë një tjetër ‘Kuti Pandore’?
A jemi gati për një tjetër operacion të ngjashëm me atë të Plumbit të Artë?
Mbetet për tu parë nëse rrëfimi i tij do të sjellë mbylljen në kafazë të ‘luenërve’ të Vlorës apo do të nxisë përplasjen e mëtejshme mes tyre, duke qenë se një pjesë, si shumë të inkriminuar, kanë gjetur strehë jashtë vendit…madje atje ku ekstradimi ka treguar që është mjaft i vështirë!/Zeri.ai