Një infermier 39-vjeçar nga Memaliaj është vënë nën hetim penal për veprën penale *“Shpërdorimi i detyrës”*, pas dyshimeve se ka regjistruar në mënyrë fiktive një pacient të dënuar me masën e sigurisë *“arrest në shtëpi”*.
Sipas Policisë së Shtetit, shtetasi R. S., banues në Tepelenë, më datë 13 shtator 2025, në cilësinë e infermierit në një qendër shëndetësore, ka shënuar në librin e shërbimeve emrin e shtetasit E. K. Ky i fundit ishte arrestuar të njëjtën ditë për thyerje të masës së sigurisë.
Nga hetimet e Specialistëve për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Memaliaj rezultoi se veprimi i infermierit dyshohet të jetë kryer për të krijuar një alibi për të dënuarin, duke e paraqitur si të pranishëm në institucionin shëndetësor në kohën kur ai nuk duhej të largohej nga banesa.
Materialet u referuan në Prokurori, ku është regjistruar procedimi penal ndaj infermierit 39-vjeçar.








