Gjykata Kushtetuese është tërhequr për marrjen e vendimit pas parashtrimit të kërkesës nga përfaqësuesit e Presidencës së Republikës për anulimin e vendimit që parashikon shqyrtimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës më datë 9 nëntor.
Sipas përfaqësuesit të Presidencës, kërkesa ka për qëllim rikthimin e kompetencës kushtetuese dhe anulimin e vendimit që përfshin dekretin në shqyrtim.
“Të nderuar gjyqtarë, më 15 tetor kërkuam që të rimerret në shqyrtim çështja e kompetencës suaj për shfuqizimin e dekretit dhe të deklaroni moskompetencë. Nuk mund të shqyrtoni një akt administrativ si ky dekret. Zgjedhjet në Tiranë u penguan, prandaj tani duhet të rikthehet kushtetutshmëria dhe kompetenca për shqyrtimin e dekretit të datës 1 tetor,” tha përfaqësuesja e Presidencës.
Ajo shtoi se, pasi Gjykata kishte deklaruar më herët moskompetencë, palët nuk janë çliruar nga statusi i tyre në proces, ndaj Presidenca kërkon anulimin e vendimit për përfshirjen e dekretit si hap paraprak për shqyrtimin në themel të çështjes.
Nga ana tjetër, Ermal Yzeiraj, përfaqësuesi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i qëndroi argumenteve të paraqitura më herët, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese është kompetente për shqyrtimin e kërkesës dhe aktit të Presidentit.
“Për ne, procedura përfshin dy faza – propozimin dhe vendimmarrjen. Faza e garancisë kushtetuese aktivizohet me paraqitjen e kërkesës në Gjykatë dhe asnjë institucion nuk duhet të ndërhyjë. Presidenti duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Aktivizimi i dekretit para këtij vendimi prodhon efekte juridike të parakohshme,” deklaroi Yzeiraj.
Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese është tërhequr për marrjen e vendimit.








