Komisioni Europian ka evidentuar një sërë problematikash në sistemin e sigurisë ushqimore në Shqipëri, duke kërkuar ndërhyrje konkrete për përmirësimin e kontrolleve dhe forcimin e institucioneve përgjegjëse. Në fokus të vlerësimit janë funksionimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), mbikëqyrja e produkteve që hidhen në treg, përdorimi i pesticideve dhe kapacitetet e laboratorëve.
Në raportin e vitit 2026 për Shqipërinë, në kapitullin 12, që përfshin sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, Brukseli vëren se vendi ka ende punë për të bërë për të përafruar legjislacionin dhe praktikat institucionale me standardet europiane.
Sipas vlerësimit të Komisionit, kuadri ligjor për sigurinë ushqimore është ende pjesërisht i harmonizuar me rregullat e BE-së, ndërsa miratimi i ligjit për Kontrollet Zyrtare në qershor 2026 përbën një nga hapat e ndërmarrë në këtë drejtim.
Një prej çështjeve që kërkon vëmendje të veçantë është organizimi i institucioneve që mbikëqyrin sigurinë ushqimore. Komisioni Europian vlerëson se nevojiten ndryshime në strukturën institucionale, duke përfshirë bashkimin e AKU-së me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Po ashtu, kërkohet përcaktim më i qartë i përgjegjësive mes institucioneve që kryejnë inspektimet.
Në raport nënvizohet se duhet të përmirësohet mënyra e mbledhjes dhe administrimit të të dhënave për inspektimet, si dhe të rritet transparenca mbi aktivitetin e institucioneve. Paralelisht, kërkohet që strukturat përgjegjëse të kenë burime të mjaftueshme njerëzore, administrative dhe financiare për të garantuar zbatimin e rregullave.
Vëmendje i kushtohet edhe funksionimit të laboratorëve që analizojnë produktet ushqimore. Sipas Komisionit Europian, ata duhet të përcaktohen në përputhje me kërkesat europiane, ndërsa nevojitet investim në pajisje, akreditim dhe përdorimin e metodave të standardizuara të analizave. Këto masa konsiderohen të rëndësishme për të garantuar saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve laboratorike.
Një tjetër fushë ku kërkohet përmirësim është kontrolli i produkteve që hyjnë në territorin shqiptar. Komisioni thekson rëndësinë e forcimit të kontrolleve kufitare dhe përafrimit të pikave të kontrollit me standardet që kërkohen nga Bashkimi Europian.
Sa i përket produkteve bujqësore, raporti ndalet te monitorimi i mbetjeve të pesticideve. Shqipëria duhet të përmirësojë reagimin në rastet kur konstatohen produkte që nuk përmbushin normat e lejuara, si dhe të rrisë transparencën për masat që ndërmerren në këto raste.
Në sektorin e blegtorisë, një nga rekomandimet lidhet me hartimin e një programi kombëtar për përmirësimin e cilësisë së qumështit. Komisioni evidenton gjithashtu mungesën e progresit të mjaftueshëm në përcaktimin e rregullave për ushqimin e kafshëve.
Problematika të tjera evidentohen në sistemin veterinar, ku gjurmueshmëria e kafshëve, monitorimi i sëmundjeve dhe kapacitetet laboratorike për identifikimin e patogjenëve të caktuar mbeten fusha që kërkojnë zhvillim të mëtejshëm. Sipas raportit, këto mangësi kufizojnë mundësinë për të identifikuar në kohë rreziqet dhe për të ndërhyrë në mënyrë efektive.
Po ashtu, vendi duhet të ngrejë një sistem për administrimin e nënprodukteve shtazore, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian, duke përfshirë grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e tyre.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i raportit është parandalimi i korrupsionit në proceset e inspektimit dhe certifikimit. Komisioni Europian kërkon më shumë transparencë dhe llogaridhënie, veçanërisht në kontrollet veterinare dhe fitosanitare, si dhe masa konkrete për të garantuar integritetin e punonjësve dhe institucioneve përgjegjëse.
Në përfundim, vlerësimi i Komisionit Europian tregon se siguria ushqimore mbetet një nga fushat ku Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat në kuadër të procesit të integrimit europian. Përmirësimi i kontrolleve, forcimi i laboratorëve dhe rritja e përgjegjshmërisë institucionale janë ndër sfidat kryesore për të garantuar që produktet ushqimore në treg të përmbushin standardet e kërkuara.







