Në Konferencën Ndërparlamentare, eurodeputeti dhe raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, po mbante fjalën e tij në nisje të konferencës, kur kryeministri Edi Rama vendosi t’i “kujtonte” se koha ishte e çmuar.
Schieder e vuri theksin te rëndësia e mbylljes së kapitujve të negociatave, dhe jo thjesht te çelja e tyre.
“Nuk është çështja që të hapen kapitujt, por duhen mbyllur. Këto reforma duhet të mbërrijnë te shoqëria. Duhet të formësohet e ardhmja e vendit”, ishte deklarata që bër Schieder.
Por ndërsa raportuesi i PE-së po fliste për procesin e integrimit europian, Rama ndërhyri, duke i kërkuar të mos e zgjaste shumë fjalën.
Arsyetimi? Kryeministrin e prisnin gjermanët.
“Kërkoj ndjesë se kam një takim me gjermanët dhe nuk i lë dot të presin. Aman, mos ia përmend Greqinë sot, se Gjermania humbi dje 1-0 ndaj Greqisë”, tha Rama, duke e shoqëruar ndërhyrjen me batutë.
Kështu, teksa Schieder fliste për kapitujt që Shqipëria duhet të mbyllë në rrugën drejt BE-së, Rama dukej se kishte një tjetër kapitull për të mbyllur: takimin me gjermanët.








