Një raketë ruse e tipit Kh-101 është rrëzuar në territorin polak, pasi tre objekte fluturuese dyshohet se kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në Varshavë dhe ka sjellë reagime të forta nga autoritetet polake dhe NATO.
Momenti i përplasjes së raketës është regjistruar nga kamerat e sigurisë në një fermë në Poloninë juglindore. Pamjet tregojnë çastin kur objekti godet tokën, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe një zhurmë të fortë që dëgjohet në zonën përreth.
Incidenti ndodhi në orët e para të së premtes, në zonën e Nowy Lipowiec, rreth 50 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Sipas Ministrisë polake të Mbrojtjes, objekti i rrëzuar ishte një raketë kruiz Kh-101, e prodhimit rus, e projektuar për të goditur objektiva me precizion të lartë. Raketa u rrëzua rreth orës 06:30. Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati persona të lënduar dhe as dëme materiale të raportuara.
Përveç raketës Kh-101, autoritetet raportuan edhe për dy objekte të tjera fluturuese. Një raketë tjetër e dyshuar u rrëzua pranë Rudnik nad Sanem, ndërsa një dron me motor reaktiv përfundoi pranë zonës së Mołodycz.
Dëshmitarët në zonë kanë përshkruar momente frike gjatë incidentit. Natalie Szponar tregoi se në atë moment po përgatiste fëmijët për në shkollë, kur dëgjoi fillimisht një tingull të ngjashëm me një fishkëllimë dhe pak çaste më vonë një shpërthim të fuqishëm.
Kryeministri polak, Donald Tusk, e cilësoi ngjarjen si një provokim nga Moska, duke ngritur dyshime se shkelja e hapësirës ajrore polake mund të mos ketë qenë aksidentale. Ai theksoi gjithashtu se incidenti ndodhi pranë një zone ku po zhvillohen stërvitje ushtarake të vendeve perëndimore.
Nga ana tjetër, ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, bëri të ditur se Polonia do t’i kërkojë NATO-s mbështetje të mëtejshme për forcimin e sigurisë ajrore të vendit.
Edhe Aleanca e Atlantikut të Veriut ka reaguar përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Mark Rutte, i cili dënoi shkeljen e hapësirës ajrore polake. Ai konfirmoi se avionët e NATO-s u ngritën në ajër në përgjigje të situatës.
Ndërkohë, deri në momentin e raportimit, Moska nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me incidentin.







