Qeveria shqiptare ka propozuar disa masa që tentojnë të ulin përdorimin e parasë fizike në transaksionet ekonomike. Në tërësinë e tyre, palët e interesit i vlerësojnë pozitivisht propozimet. Megjithatë, Shoqata e Bankave kërkon një kufi më të ulët për pagesat në cash të individëve, ndërsa Shoqata e Mikrofinancës thekson rëndësinë për të shmangur krijimin e kostove të rëndësishme te bizneset.
Në paketën fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2026, qeveria shqiptare ka propozuar disa masa të reja që synojnë reduktimin e përdorimit të parasë fizike në ekonomi.
Në ndryshimet e propozuara të ligjit “Për procedurat tatimore”, përcaktohet një kufi prej 500 mijë lekësh për pagesat që individët, tregtarët e vegjël dhe të vetëpunësuarit kryejnë me konsumatorët.
Gjithashtu, projektligji parashikon uljen e kufirit maksimal të pagesave me para në dorë për transaksionet ndërmjet subjekteve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm i parashikuar në projektligj është detyrimi për pajisjen me pajisje për pranimin e pagesave elektronike në pikat e shitjes.
Kategori të caktuara, si strukturat akomoduese, sektori i transportit, institucionet publike dhe shoqëritë me kapital shtetëror duhet të pajisen brenda datës 30 maj 2026. Për tatimpaguesit e tjerë, afati është 31 dhjetor 2026.
Megjithatë, nga ky detyrim përjashtohet një pjesë e madhe e subjekteve, duke filluar nga ato që operojnë në zona pa infrastrukturë interneti, bizneset që nuk janë subjekt i TVSH-së, të vetëpunësuarit që ushtrojnë aktivitet vetëm në një vendndodhje dhe ata që nuk janë të detyruar të lëshojnë fatura.
Kjo masë synon të reduktojë evazionin dhe të rrisë transparencën fiskale, si dhe të nxisë përdorimin e mjeteve moderne të pagesave.
Banka e Shqipërisë: Cash ka kosto të lartë, masat për uljen e tij janë të mirëpritura
Në një prononcim për “Monitor”, Banka e Shqipërisë thekson se, në përmbushje të mandatit të saj ligjor për sigurimin e stabilitetit financiar dhe promovimin e funksionimit efikas të sistemeve të pagesave, prej vitit 2018 ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në bashkëpunim të ngushtë me industrinë financiare dhe institucionet shtetërore, në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018–2023).
Qëllimi kryesor i këtyre reformave ka qenë promovimi i pagesave elektronike, rritja e sigurisë së transaksioneve dhe lehtësimi i aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet financiare, duke nxitur njëkohësisht përfshirjen financiare në vend.
Reformat dhe masat e ndërmarra janë mbështetur në analiza dhe studime të detajuara, ndër të cilat më i rëndësishmi në këtë kontekst është studimi “Mbi matjen e kostove dhe kursimeve të instrumenteve të Pagesave me Vlerë të Vogël”.
Studimi identifikon qartazi se përdorimi i parasë fizike në ekonomi mbart kosto shumë më të larta sesa instrumentet elektronike të pagesës.
Në terma makroekonomikë, kostoja e parasë fizike vlerësohet të arrijë deri në 1.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa për bizneset, kjo kosto është rreth 0.3% të PPB-së – shumë më e lartë krahasuar me kostot për përdorimin e kartave, të cilat përllogariten në vetëm 0.03% dhe 0.028% të PPB-së.
Kjo tregon se përdorimi i cash-it gjeneron kosto të ndjeshme për të gjithë aktorët ekonomikë, të cilat shpeshherë mbeten të nënvlerësuara, pasi nuk shfaqen drejtpërdrejt sikurse komisionet e transaksioneve elektronike.
Sipas Bankës së Shqipërisë, çdo nismë që synon rritjen e përdorimit të mjeteve elektronike të pagesës, uljen e varësisë nga paraja fizike dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë vlerësohet si pjesë integrale e përpjekjeve të gjera për modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Shqipëri.
Banka Qendrore vlerëson se masat e propozuara në projektligjin “Për procedurat tatimore”, përfshirë kufizimin e përdorimit të parasë në dorë dhe zgjerimin e aksesit në terminalet POS, janë në linjë me objektivat afatgjata të Strategjisë Kombëtare dhe përbëjnë një element të rëndësishëm të agjendës qeveritare “Cashless”.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë theksoi se çdo ndryshim i kësaj natyre kërkon një vlerësim të kujdesshëm të ndikimeve praktike, përfshirë kostot për bizneset dhe nevojat e tyre operative.
“Për këtë arsye, prioritet mbetet që masat e reja të shoqërohen me komunikim të qartë, mbështetje të nevojshme dhe instrumente lehtësuese, në mënyrë që tranzicioni drejt pagesave elektronike të jetë sa më i qetë, i qëndrueshëm dhe i pranueshëm për të gjithë aktorët e tregut”, thotë Banka e Shqipërisë në reagimin e saj.
Në vijim të këtyre përpjekjeve, Banka e Shqipërisë bën të ditur se po punon për transpozimin e rregullores së Bashkimit Europian mbi tavanet e tarifave të shkëmbimit, duke i vendosur ato në nivelin 0.2% për kartat e debitit dhe 0.3% për kartat e kreditit.
Kjo nismë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e kostove të bizneseve për përdorimin e POS-eve.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka kërkuar që hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve të koordinohet me masat që synojnë reduktimin e komisioneve të shkëmbimit të aplikuara nga bankat.
Paralelisht, po vijon puna për operacionalizimin e TIPS Clone, një zhvillim që do të zgjerojë ndjeshëm gamën e instrumenteve elektronike të pagesave, duke krijuar një alternativë më efikase dhe më pak të kushtueshme krahasuar me pagesat tradicionale me kartë.
“Në këtë këndvështrim, Banka e Shqipërisë ka synuar të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të saj për të siguruar që propozimet e reja të mund të zbatohen në mënyrën më të përshtatshme dhe më të lehtë për aktorët e tregut.
Institucioni mbetet plotësisht i angazhuar për të vijuar bashkëpunimin me institucionet publike dhe sektorin privat, me synimin për të ndërtuar një treg pagesash modern, efikas dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset e vendit”, – thuhet në reagimin e Bankës së Shqipërisë për “Monitor”.
Shoqata e Bankave: Kufiri prej 500 mijë lekësh për individët, shumë i lartë
Shoqata Shqiptare e Bankave, në parim, është shprehur dakord me propozimet e qeverisë që synojnë të reduktojnë uljen e përdorimit të parasë fizike në ekonomi.
Gjatë komenteve në Komisionin Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, sekretari i Shoqatës, Spiro Brumbulli, tha se, në përgjithësi, Shoqata i vlerëson hapat e propozuar lidhur me reduktimin e parasë cash dhe formalizimin e transaksioneve të shitblerjes, pavarësisht se nënvizoi që Ministria e Financave nuk bëri konsultime paraprake për të kërkuar mendimet e Shoqatës, si palë interesi, lidhur me ndryshimet e propozuara.
Shoqata e Bankave, megjithatë, e kundërshton kufirin prej 500 mijë lekësh, të propozuar nga qeveria shqiptare si limit për veprimet në cash dhe kërkon vendosjen e një vlere tavan më të ulët.
“Masa që vendoset në ndryshimet e propozuara ligjore nuk shkon në drejtim të objektivit të ekonomisë cashless. Ne kemi kërkuar me kohë që të vendosen tavane në pagesat cash.
Për herë të parë vendoset edhe një tavan për individët në këto ndryshime. Por, raportet e trajtimit të biznesit dhe individit në tavanet e propozuara na duken të palogjikshme dhe të paargumentuara. Është pozitive që ulet kufiri për bizneset, nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë.
Kjo tregon një frymë në favor të formalizimit të ekonomisë. Por, vendosja për individët e një tavani në shumën 500 mijë lekë është jashtë çdo analize dhe eksperience. Vendet e rajonit, si Greqia, Maqedonia e Veriut e kanë limitin 500 euro dhe e kanë njësoj, si për bizneset, ashtu edhe për individin.
Çfarë kuptimi ka të vendosim një limit prej 500 mijë lekësh për individin, kur paga mesatare është rreth 90 mijë lekë dhe ndërkohë që limiti për biznesin parashikohet në 100 mijë lekë? Propozimi ynë është që tavani për veprimet në cash të jetë diku te 50-60 mijë lekë.
Nuk e kuptoj cili është argumenti për një tavan prej 500 mijë lekësh. Ne nuk jemi as Gjermani, as Holandë, që janë vende me shkallë shumë të ulët informaliteti. Kjo masë nuk përputhet me të gjitha përpjekjet që po bëjmë për të luftuar informalitetin dhe paranë cash në ekonomi”, – tha z. Brumbulli.
Vlerësohet se turizmi është një nga faktorët kryesorë që po i jep shtysë të fortë pagesave me kartë në vitet e fundit. Të dhënat e INSTAT treguan se hyrjet e shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për 9-mujorin arritën në 10.2 milionë, në rritje vjetore me 5.7%.
Vlerësohet se zgjerimi i infrastrukturës së POS-eve dhe zhvillimi i shprehive konsumatore pas pandemisë e ka rritur ndjeshëm përdorimin e pagesave me kartë edhe nga konsumatorët vendas./Monitor








