Propozimi i Partisë Socialiste për Reformën Administrativo-Territoriale ka shkaktuar përplasje jo vetëm me qytetarët, opozitën por edhe brenda kampit socialist.
Ndërsa kryeministri Edi Rama ka kërkuar që procesi të shihet si një konsultim publik 60-ditor, disa kryebashkiakë socialistë dhe këshilla vendorë kanë dalë kundër shkrirjes së bashkive të tyre.
Nga jugu në qendër të vendit, protesta dhe reagime institucionale kanë shoqëruar propozimin për bashkimet e reja territoriale, ndërsa debati është kthyer në një përplasje mes argumenteve për eficiencën administrative dhe ruajtjen e identitetit lokal.
Rama: “Qarje halli”, reforma është në konsultim publik
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kundërshtive duke i cilësuar ato si pjesë normale të procesit të konsultimit.
Përmes një reagimi në rrjetin social “X”, Rama tha se dokumenti i reformës është ende në fazën e konsultimit publik dhe se çdo bashki apo individ ka të drejtë të shprehë qëndrimin e tij.
Ai ironizoi kundërshtarët e reformës, duke folur për “qarje halli” dhe “vajtorë e vajtojca”, ndërsa kritikoi rastet kur disa individë kanë djegur teserat e PS-së apo kur deputetë socialistë kanë dalë me deklarata kundër propozimit.
Sipas Ramës, vendimi përfundimtar do të merret nga Kuvendi pas përfundimit të konsultimeve.
Postimi i plotë i Ramës:
Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, që tanimë po protestohet edhe “brenda PS” dhe kjo qenka një shenjë tmerrësisht e keqe për “regjimin”.
Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur.
Një, sepse dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin.
Dy, sepse sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë.
Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë.
Nga ana tjetër të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve – ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftrat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhana të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat.
Kryebashkiakët socialistët sfidojnë hartën e re
Pavarësisht qëndrimit të kryeministrit, disa drejtues vendorë socialistë kanë kundërshtuar publikisht shkrirjen e bashkive të tyre.
Patosi kundër bashkimit me Fierin
Kryebashkiaku socialist i Patosit, Fation Duro, ka kundërshtuar propozimin për bashkimin e Patosit me Fierin.
Ai argumenton se të dhënat e vetë Komisionit për Reformën Territoriale e rendisin Patosin ndër bashkitë me performancën më të mirë në vend.
Sipas tij, Patosi renditet i 10-ti në Shqipëri për funksionalitetin me 71.7 pikë, ndërsa Fieri renditet më poshtë me 55.4 pikë.
Duro ngre pyetjen se pse duhet të shkrihet një bashki që, sipas tij, ka tregues më të mirë ekonomikë dhe administrativë sesa ajo që propozohet ta përthithë.
Dimali kundër bashkimit me Beratin
Edhe kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, ka kundërshtuar propozimin për bashkimin me Beratin.
Ajo deklaron se Dimali ka një identitet historik, ekonomik dhe kulturor të veçantë dhe se ndryshimi i emrit të bashkisë në vitin 2021 ishte bërë pas një procesi konsultimi me qytetarët.
Memaj pretendon se bashkia ka tregues pozitivë ekonomikë, nivel të lartë investimesh dhe se nuk ka arsye të humbasë statusin e saj.
Poliçan/ Kyebashkiaku jep dorëheqjen
Në Poliçan, kundërshtia ka marrë edhe një dimension politik. Kryetari i PS-së në këtë bashki, Erjon Zylyftari, njoftoi dorëheqjen nga partia gjatë një proteste kundër reformës territoriale.
Banorët protestuan me pankarta kundër shkrirjes së bashkisë, duke kërkuar që Poliçani të mbetet një njësi më vete.
Rrogozhina: Këshilli Bashkiak në një zë kundër shkrirjes
Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës ka miratuar një qëndrim të përbashkët kundër bashkimit me Kavajën.
Pavarësisht ndarjeve politike, anëtarët e këshillit kërkuan që çdo ndryshim territorial të bëhet vetëm pas konsultimit me qytetarët.
Kryetarja e Këshillit, Desi Gixhari, tha se interesi i banorëve ka bashkuar përfaqësuesit vendorë përtej bindjeve politike.
Libohova kundër bashkimit me Gjirokastrën
Edhe kryebashkiaku i Libohovës, Leonard Hide, ka dalë kundër propozimit për bashkimin me Gjirokastrën.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të qarkut që të mos mbështesin projektligjin në Kuvend, duke argumentuar se shkrirja do të dëmtonte identitetin dhe përfaqësimin e zonës.
Hide deklaroi se nuk do të marrë pjesë në procese që, sipas tij, nuk mbrojnë interesat e Libohovës.
Protestat në terren: nga Dimal te Belshi e Maliqi
Përtej reagimeve institucionale, reforma ka sjellë edhe protesta qytetare.
Banorë në disa zona kanë dalë kundër humbjes së statusit të bashkisë, duke argumentuar se bashkimet e reja rrezikojnë largimin e shërbimeve nga qytetarët dhe dobësimin e përfaqësimit lokal.
Protesta janë zhvilluar në Dimal, Maliq, Belsh, Poliçan dhe zona të tjera, ku qytetarët kanë kërkuar ruajtjen e bashkive të tyre.
Harta e PS
Mazhoranca socialiste ka prezantuar propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, përmes bashkimit të 28 bashkive ekzistuese në 13 njësi të reja.
Propozimi u është përcjellë kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë nga deputetët socialistë, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.
Sipas mazhorancës, ndryshimet mbështeten në analizën e zhvillimeve të dhjetë viteve pas reformës së vitit 2014, si edhe në konsultimet e zhvilluara në territor. Në deklaratë thuhet se objektivi është krijimi i bashkive me kapacitete më të mëdha administrative, financiare dhe teknike, në funksion të përmirësimit të shërbimeve dhe përmbushjes së kërkesave që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Reforma propozon gjithashtu krijimin e një niveli të ri organizimi vendor, “Qytetin”, duke zëvendësuar skemën aktuale “Bashki – Njësi Administrative” me modelin “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Sipas projektit, qyteti do të ketë një rol më të madh në përfaqësim, planifikim dhe koordinimin e shërbimeve vendore.

Sipas projektligjit, konsolidimi do të realizohet si më poshtë:
Fushë-Arrëz me Pukën;
Klosi me Matin;
Rrogozhina me Kavajën;
Dimali dhe Poliçani me Beratin;
Patosi me Fierin;
Divjaka me Lushnjën;
Selenica me Vlorën;
Maliqi me Korçën;
Këlcyra me Përmetin;
Memaliaj me Tepelenën;
Libohova me Gjirokastrën;
Cërriku dhe Belshi me Elbasanin;
Prrenjasi me Librazhdin.
Harta e PD: kundër shkrirjes, akuzon PS për centralizim
Partia Demokratike e kundërshton reformën, duke e cilësuar si një tentativë për të dobësuar pushtetin vendor dhe për të rritur kontrollin politik të mazhorancës.
PD ka mbështetur kundërshtitë e bashkive që preken nga shkrirja dhe ka akuzuar qeverinë se po injoron vullnetin e komuniteteve.
PD zbuloi draftin e saj ku propozohet një ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone.
Për selinë blu shtimi i bashkive do të sjellë më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe menaxhim më të mirë të territorit, kështu propozon që të shtohen 39 njësi vendore të reja sidomos në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë.
Shtimin më të madh të numrit të bashkive PD e propozon në qarkun e Fierit me 6 të tilla, si Fiershegan, Dushk, Ardenicë apo Cakran etj. Kështu Fieri bëhet qarku me numrin më të madh të bashkive në vend me 12 të tilla.
Në vend të dytë vjen qarku i Vlorës, që sipas PD duhet të ketë 11 bashki në territor, dhe propozon të shtohen Orikumi, Amantia, Ksamili dhe Novoselë.
Të tretët janë qarku i Tiranës dhe i Korçës, dhe nga 10 bashki secila. Konkretisht demokratët propozojnë 5 bashki të reja për Tiranën (Dajti, Petrela, Kashari, Ndroqi e Arbana) dhe 4 të tjera për Korçën (Leskovik, Voskopojë, Mokër e Pojan).
Në hartën e selisë blu propozohen 3 bashki të reja në qarkun Shkodër (Velipojë, Deivast, Koplik), 5 në qarkun Lezhë (Bregu i Matës, Orosh, Zadrimë, Mamurras e Rubik), në Dibër shtohen 4 bashki (Maqellarë, Lurë, Shupenzë e Kastriot).
Kurse qarqeve Kukës, Durrës, Elbasan dhe Berat sipas PD duhet t’u shtohen secilës nga dy bashki. Të vetmin qark që nuk prek reforma e propozuar nga demokratët është Gjirokastra të cilën e lë me 7 bashki, aq sa ka aktualisht./Boldnews.al






