Franca po përgatitet për një tjetër ditë protestash masive, pasi qytetarët pritet të mbushin rrugët e qyteteve të ndryshme këtë të shtunë, në kuadër të raundit të pestë të demonstratave kundër problemeve në arsim dhe rritjes së kostos së jetesës.
Autoritetet franceze kanë marrë masa të shtuara sigurie, ndërsa në të gjithë vendin janë planifikuar dhjetëra marshime. Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, njoftoi se rreth 70 mijë efektivë policie do të angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestave.
Sipas ministrit, organizimi i forcave të sigurisë do të jetë i ngjashëm me atë të fundjavës së kaluar, por masat mund të ndryshojnë në varësi të situatës në terren.
“Do të kemi të njëjtën vendosje të forcave policore si të shtunën e kaluar”, deklaroi Nuñez.
Ai theksoi se policia do të jetë e përgatitur për të përballuar çdo situatë, veçanërisht veprimet e mundshme të grupeve me rrezik të lartë, të cilat mund të veprojnë në grupe të vogla për t’iu shmangur kontrolleve dhe ndërhyrjeve të autoriteteve.
“Ne do të jemi të gatshëm për çdo gjë që lidhet me vandalizmin dhe plaçkitjen”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Ndërsa përgatitjet për demonstratat kanë hyrë në fazën përfundimtare, vëmendja është përqendruar te mbarëvajtja e marshimeve dhe mundësia e incidenteve apo përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit.







