Përplasjet dhe incidentet e dhunshme gjatë protestës së studentëve përpara Ministrisë së Arsimit kanë vënë në pikëpyetje efektivitetin e menaxhimit policor dhe përgjegjësinë e drejtuesve të Policisë së Shtetit. Në qendër të vëmendjes është drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, nga i cili pritet transparencë për mënyrën se si u organizua ndërhyrja, masat e marra për parandalimin e përshkallëzimit dhe respektimin e të drejtave të protestuesve e gazetarëve.
Pyetja që shtrohet tashmë është thelbësore. A u menaxhua situata sipas standardeve profesionale dhe ligjore, apo dështimet në organizim dhe reagim lejuan që tensionet të përshkallëzoheshin?
Menaxhimi i një proteste nuk matet vetëm me numrin e efektivëve të angazhuar apo me ndërhyrjet e dhunshme pas shpërthimit të incidenteve, por mbi të gjitha matet me aftësinë për të parashikuar rreziqet dhe për të reaguar në mënyrë profesionale e proporcionale.
Kur një protestë shoqërohet me dhune, përplasj dhe situata që ngrenë dyshime për përdorim të tepruar të forcës, përgjegjësia institucionale kërkon më shumë sesa reagime të momentit. Kërkohet një analizë e plotë e veprimeve të policisë, e urdhrave të dhëna dhe e funksionimit të zinxhirit komandues.
Skënder Hita duhet të garantojë transparencë për mënyrën se si u organizua operacioni policor. A u morën masat e nevojshme për parandalimin e dhunës? A u respektuan procedurat gjatë ndërhyrjeve? A pati raste të përdorimit të pajustifikuar të forcës? Dhe, nëse konstatohen shkelje, a do të mbajnë përgjegjësi të gjithë personat e përfshirë, duke nisur nga ai vete?
Hetimi i veprimeve të punonjësve të policisë është i domosdoshëm, por nuk duhet të shërbejë për ta kufizuar analizën vetëm te përgjegjësia individuale e efektivëve. Çdo incident duhet të shqyrtohet edhe në raport me urdhrat, organizimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e operacionit.
Si drejtuesi më i lartë i Policise se Shtetit, ai duhet të japë llogari për standardet profesionale te policise gjate nderhyrjes ne nje proteste te tille.
Autoriteti i Policisë së Shtetit nuk mbrohet duke relativizuar dështimet, por duke i pranuar, hetuar dhe korrigjuar ato. Besimi i qytetarëve nuk fitohet përmes imazhit të forcës, por përmes zbatimit të ligjit, proporcionalitetit në ndërhyrje dhe përgjegjësisë për çdo shkelje të provuar.
Për Skënder Hitën, çështja thelbësore nuk është thjesht menaxhimi i një proteste të vështirë. Është aftësia për të dëshmuar se Policia e Shtetit mund të ruajë rendin pa cenuar të drejtat e qytetarëve dhe se, kur ndodhin incidente, askush nuk qëndron mbi përgjegjësinë institucionale.







