Shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, Albert Nushi, ka reaguar lidhur me disa informacione që po qarkullojnë ditët e fundit në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe sqaruar qëndrimin e Policisë së Shtetit për disa çështje që kanë shkaktuar debat publik.
Sa i përket pamjeve të publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj po sillen në Shqipëri për t’u mbajtur në burg, Nushi sqaroi se bëhet fjalë për emigrantë që transportohen nga Italia drejt qendrës së pritjes në Gjadër. Sipas tij, pretendimet e publikuara në rrjetet sociale nuk qëndrojnë.
Një tjetër çështje e trajtuar në deklaratë lidhet me mesazhet me përmbajtje intimiduese që u janë dërguar disa mësuesve dhe pedagogëve gjatë ditës së djeshme. Në këto mesazhe pretendohej se ata ishin filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktoheshin për t’u komunikuar akuza.
Policia e Shtetit ka mohuar të ketë dërguar mesazhe të tilla, duke bërë të ditur se ato dyshohet se janë dërguar nga persona ende të paidentifikuar. Sipas institucionit, qëllimi i tyre është përhapja e panikut dhe cenimi i besimit të qytetarëve te Policia.
Në deklaratë theksohet se e drejta për tubime paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe ta mbrojë atë. Sipas Nushit, çdo pretendim se kjo e drejtë nuk respektohet është i pavërtetë.
Policia ka reaguar gjithashtu ndaj lajmeve për dorëheqje masive nga radhët e saj, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Po ashtu, institucioni ka mohuar pretendimet se drejtues të policisë kanë dhënë urdhra të kundërligjshëm për përdorimin e dhunës gjatë tubimeve të ditëve të fundit.
Në përfundim, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj informacioneve që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe të mos bien pre e lajmeve të paverifikuara, duke theksuar se misioni i saj është zbatimi i ligjit dhe garantimi i jetës, pronës dhe të drejtave të qytetarëve.







