Pasuri me vlerë 77 milionë lekë janë sekuestruar në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023, që lidhet me veprimtarinë e një grupi kriminal të dyshuar për trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
Sipas hetimeve, grupi kriminal trafikonte drogë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa vlera e aktivitetit të tij arrinte deri në 3.5 miliardë euro.
Një pjesë e lëndës narkotike u sekuestrua nga autoritetet në Belgjikë dhe Gjermani gjatë viteve 2020–2021.
Për transportimin e drogës, grupi dyshohet se përdorte metoda të sofistikuara për fshehjen e saj në kontejnerë detarë. Ndër mënyrat e përdorura ishin kamuflimi i lëndëve narkotike në bombola boje, kuti sapuni dhe produkte të tjera, me qëllim shmangien e kontrolleve nga autoritetet.
Hetimet për këtë çështje lidhen me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.







