Partia Socialiste kërkon të largojë përkohësisht nga punimet e Kuvendit 20 deputetë të opozitës, pas kaosit të regjistruar në seancën plenare të kësaj të enjteje. Për Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Luçiano Boçin, Edi Palokën dhe Besart Xhaferrin kërkohet përjashtimi për 60 ditë, ndërsa për 14 deputetë të tjerë masa e propozuar është 10 ditë.
Kërkesa e socialistëve vjen pas përplasjeve në sallën e Kuvendit, ku deputetë të opozitës bllokuan foltoren dhe kundërshtuan zhvillimin e seancës. Në dokumentin drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, PS pretendon se gjatë incidenteve pati fyerje, sulme fizike dhe dëmtime të pajisjeve parlamentare.
Sipas socialistëve, Flamur Noka goditi foltoren dhe më pas iu drejtua me fjalë fyese drejtuesit të seancës. Ndërsa Belind Këlliçi, sipas kërkesës, jo vetëm nuk liroi foltoren, por shkuli pajisjet e saj dhe i përdori për të goditur.
PS pretendon gjithashtu se Noka sulmoi me shishe uji deputetë socialistë, mes tyre Ervin Hoxhën, Arkend Ballën, Fadil Nasufin, Agron Malajn dhe Bujar Rexhën.
Në momentin kur mazhoranca po vijonte votimin e projektligjeve, ndërsa opozita protestonte, ish-ministri i Brendshëm Ervin Hoxha është përfshirë në një përplasje fizike me deputetin demokrat Fidel Kreka.
Situata është tensionuar brenda sallës së Kuvendit, ku, krahas përplasjes mes dy deputetëve, janë dëgjuar edhe sharje nga ana e Hoxhës por mesa duket mazhoranca nuk e ka dëgjuar këtë.
Për 10 ditë përjashtim, socialistët kanë propozuar Gjin Gjonin, Bardh Spahinë, Albana Vokshin, Elda Hotin, Xhelal Mziun, Gent Strazimirin, Enno Bozdon, Kastriot Pirolin, Kliti Hotin, Flamur Hoxhën, Arjan Ndojën, Ivi Kason, Zija Ismailin dhe Blendi Himçin. Sipas kërkesës, këta deputetë morën pjesë në bllokimin e foltores, duke penguar zhvillimin normal të votimit.








