Kompania “ONE” prej disa ditësh ka njoftuar një rritje të çmimeve të shërbimeve me 2.2%, por sipas avokatit Ervin Ymeraj, ky njoftim mund të jetë abuziv dhe i paplotë në informacionin ndaj abonentëve.
Në një prononcim për News 24, ai thotë se abonentëve po ju shkelen të drejtat, pasi kompania nuk i ka mirë-informuar këta të fundit për ndryshimet në çmime.
“Kompania ONE në kontratë ia njeh vetes të drejtën për të rritur çmimin në mënyrë të njëanshme dhe automatike, por klienti ka disa të drejta që nuk mund t’i prekë kontrata. Klauzolat e kontratës duhet të jenë të qarta dhe të kuptueshme. Klienti duhet të jetë i mirëinformuar që në fillim dhe të dijë që çdo ndryshim çmimi do ta prekë direkt. Në njoftimin e dërguar kjo nuk është sqaruar. Abonentët duhet të marrin informacion në formë private, por nuk është shpjeguar në njoftimin e ONE nëse ata kanë mundësi ta kundërshtojnë”, tha ai.
Sipas avokatit, mënyra se si kompania ka komunikuar ndryshimin e çmimit nuk respekton të drejtën për informim të qartë dhe të drejtpërdrejtë për abonentët.
“Kjo e bën rritjen abuzive dhe nuk mund të konsiderohet ndryshim i kushteve kontraktuale pa vullnet të përbashkët. Informacioni që jep kompania është i paqartë dhe voluminoz. Çdo abonent mund të bëjë kundërshtim dhe kompania duhet ta ketë parasysh. Nëse konsumatori nuk ndërhyn dhe nuk kundërshton, kjo konsiderohet pranim, dhe rritja mund të vazhdojë”, shprehet avokati.
Avokati shton se format e njoftimit nga ONE nuk janë të përshtatshme dhe nuk respektojnë të drejtën për transparencë dhe mundësinë për kundërshtim. Ai konsideron se nëse klauzola për rritje të çmimit ishte në kontratë, ajo është e padrejtë dhe krijon pasoja për abonentët.
“Kjo është një kosto për çdo qytetar. Shteti duhet të ndërhyjë, duke filluar nga AKEP-i, Komisioneri për Mbrojtjen e Konsumatorit, por edhe shoqëria civile, që konsumatori të jetë sa më i mbrojtur”, tha ai.
Avokati Ymeraj thekson se abonentët kanë të drejtë të kundërshtojnë ndryshimet.
“Nga 1 maji, abonentët kanë të drejtë të kërkojnë mospranim të ndryshimeve dhe mund të bëjnë kërkesë për ndërprerje të kontratës, por duhet të kenë parasysh pasojat që kjo mund të sjellë”, thekson ai.








