Shefi i prokurimit në ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij Hysen Durmishi, me vendim të Departamentit Amerikane ë Shtetit është sanksionuar si i “papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”, ndërlidhur me rastin e Parkut Industrial në Drenas.
Në njoftimin për kontratë të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës më 1 nëntor, Nexhat Krasniqit figuron si pikë kontakti për këtë tender.
Nexhat Krasniqi, si zyrtar përgjegjës i prokurimit në ministrin e Infrastrukturës, më 24 tetor 2023 Kishte nënshkruar kontratën “Pastrim të Veturave” të ministrisë.
Por kush është Nexhat Krasniqi?
Nexhat Krasniqi, siç ka konfirmuar kryetari i Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Osman Vishaj, është aktualisht zyrtar përgjegjës i prokurimit në Ministrinë e udhëhequr nga Liburn Aliu.
Nga viti 2015 ai ka nisur të përballet me ligjin. Asokohe, ishte zyrtar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Rasti kishte të bënte me realizimin e Parkut Industrial në Drenas, ku Krasniqi akuzohej se në cilësinë e zyrtarit kishte pranuar ryshfet nga kompania “Eltoni” lidhur me dhënien e lejes së ndërtimit.
Lidhur me këto akuza, Nexhat Krasniqit i ishte shqiptuar dënim prej 26 muaj burgim më 21 shtator të vitit 2015 për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Për të ardhur deri tek ky aktgjykim, në Gjykatën Themelore të Prishtinës lidhur me këtë rast ishin mbajtur plot 22 seanca gjyqësore.
Aktakuza ishte ngritur më 5 nëntor të vitit 2015 për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim.
Ndaj dënimit të themelores prej 26 muajsh burgim, Nexhat Krasniqi i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit me të cilin kjo gjykatë i’a kishte ndryshuar edhe lartësinë e dënimit edhe cilësimin juridik të veprës penale.
Apeli më 2 maj të vitit 2016, i’a zvogëloi dënimit Krasniqit në 18 muaj burgim me kusht për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas avokatit të Krasniqit, Florent Latifaj për Kallxo.com tha se për rastin në fjalë ka arritur afati për rehabilitimin gjyqësor dhe është i fshirë nga evidenca.
Nexhat Krasniqi përmendet më së shumti për rastin “MTPT” për keqpërdorime gjatë kohës sa ministër kishte qenë Fatmir Limaj.
Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi së bashku me ish-ministrin e transportit Fatmir Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal që shpërdoroi pozitën dhe autoritetin zyrtar si dhe mori ryshfete. Krasniqi akuzohej se në “rastin e MTPT-së” kishte favorizuar kompaninë ‘Tali’ që të fitonte një tender në Ministrinë e Telekomunikacionit gjersa drejtonte prokurimin.
Krasniqi dhe zyrtarët tjerë janë liruar nga këto akuza.
Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Përkundër se Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit, i kishin dhënë përparësi Krasniqit, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur edhe në Gjykatën Supreme.
Në vendimin ndaj tij, Nexhat Krasniqit i bëhej e qartë që është larguar përfundimisht nga posti i udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Përkundër vendimit të sekretarit që ishte në postin e ushtruesit të detyrës, ai kishte refuzuar të largohej nga zyra.
Madje, Krasniqin nuk kishin arritur që ta largonin as Policia e Kosovës, kur përkundër se u ishin ftuar për një gjë të tillë, ata nga zyra nuk kishin arritur ta largonin atë. Madje ai kishte vazhduar punën normalisht edhe pse ishte shkarkuar.
Në fakt kjo kishte qenë rezistenca e dytë që Krasniqi kishte bërë për mos t’u larguar nga posti i tij.
Rasti i parë kishte qenë kur ai ishte akuzuar në rastin e njohur si MTPT, ku së bashku me Fatmir Limajn dhe të tjerët, Krasniqi akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti, por që për këtë rast ishin shpallur të pafajshëm të gjithë më pas.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit më 12 nëntor të vitit 2018 kishte marrë vendim që ndaj Krasniqit të “Ndërpritet Marrëdhënia e Punës në Shërbimin Civil’ për shkak të kryerjes së veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.
Përballjet për vendimin që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës, kishin përfunduar në nëntor të vitit të kaluar, kur për Krasniqin është vendosur të largohet nga ai post për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Në vitin 2022, Krasniqi, kishte përfunduar në spital si pasojë e lëndimeve të rënda që mori pasi dyshohet se u sulmua fizikisht nga dy persona të panjohur.
Në një intervistë për KALLXO Pernime, Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka folur për raportet e tij me shefin e prokurimit në Ministri, Nexhat Krasniqin.
Durmishi më 27 prill 2022 e ka mohuar se e takon çdo ditë shefin e prokurimit.
“Jo, nuk rri natë e ditë në zyrën time. Në zyrën ku punoj unë, çdo drejtor i departamentit, çdo shef i divizionit, çdo zyrtar që punon në ministri, e ka derën çelur sa unë jam aty. Ai (Nexhat Krasniqi), nuk vjen shpesh te unë. Ai vjen vetëm kur ka nevojë për m’u konsultu me mua. Së pari, unë përveç që jam zëvendësministër jam edhe inxhinier dhe për ashtu unë nuk duhem me bo kurrgjë e veç duhet me pritë kur të ma sjellin ndonjë dokument me e nënshkru” – kishte deklaruar Durmishi në Kallxo Përnime.
Tutje, ai tha se prej që është emëruar në pozitë, i ka takuar udhëheqësit e departamenteve, sipas tij, për të shikuar në detaje dosjet e tenderëve.
“Kam kërku, edhe me departamentin e infrastrukturës edhe të menaxhimit të rrugëve, edhe me prokurimin, që me kontrollu deri në detaje secilën paramasë, unë nuk merrem me specifikacione teknike e me këto. Kam kërkuar prej tyre që me i pa mirë paramasat që mos të na dalin probleme në terren, qysh po dalin me kontrata të mëhershme”, kishte thënë Durmishi.
“Nuk e di sa herë në javë, nuk mundem me ditë. Sa herë të kem nevojë për të. Po sigurisht që ka ditë që nuk ka ardhë. Nexhat Krasniqi ka ardhë nja 2 muaj apo tre para se me ardhë ne në qeverisje, sepse ka qenë i suspenduar. Ka pasur procedura gjyqësore prej kohës së Fatmir Limajt”, kishte thënë Durmishi në Kallxo Përnime.