Pas mbylljes së sesionit të verës, Kuvendi pritet të rikthehet në shtator me një sërë çështjesh të mbartura dhe nisma të reja që pritet të dominojnë debatin politik në muajt e ardhshëm.
Në fokus do të jenë reforma administrativo-territoriale, ndryshimet në legjislacionin e drejtësisë, pagat e magjistratëve, ligji për shtetësinë dhe çështje të tjera, të cilat pritet të sjellin debate të forta ms mazhorancës dhe opozitës.
Reforma Administrativo-Territoriale 2.0 – 15 bashki drejt ‘shkrirjes’
Mazhoranca socialiste ka propozuar uljen e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 46, përmes shkrirjes dhe bashkimit të 15 bashkive. Propozimi është bërë nga deputetë socialistë, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, në kuadër të asaj që është quajtur Reforma Administrativo-Territoriale 2.0.
Sipas modelit të propozuar nga socialistët, 28 bashki do të konsolidohen në 13 bashki të reja, duke e çuar numrin total nga 61 në 46. Struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Modeli ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm.
Bashkitë që propozohet të bashkohen janë: Fushë-Arrëz me Pukën; Klosi me Matin; Rrogozhina me Kavajën; Dimal, Berati dhe Poliçani me Beratin; Patosi me Fierin; Divjaka me Lushnjën; Selenica me Vlorën; Maliqi me Korçën; Këlcyra me Përmetin; Memaliaj me Tepelenën; Libohova me Gjirokastrën; Cërriku, Elbasani dhe Belshi me Elbasanin; si dhe Prrenjasi me Librazhdin.
Propozimi është kundërshtuar nga opozita, e cila kërkon një hartë të re territoriale me 90 deri në 110 bashki dhe rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve të reja demografike. “Ne kemi projektin tonë, i cili parashikon nga 90 në 110 bashki, por edhe rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike”, është shprehur Sali Berisha.
Reforma ka shkaktuar gjithashtu kundërshtime në disa prej bashkive që preken nga shkrirja. Kryebashkiakë socialistë dhe administrata vendore kanë dalë kundër propozimit, ndërsa protestat kulmuan në Poliçan, ku disa socialistë dogjën teserat e Partisë Socialiste.
Ndryshimet në Reformën në Drejtësi
Një tjetër çështje që pritet të rikthehet në Kuvend është paketa e ndryshimeve në legjislacionin e drejtësisë. Në janar 2026, Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi me ndryshime propozimet e deputetit socialist Olsi Komici për dy nga ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi.
Një nga ndryshimet kryesore prek ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ku u parashikua një dispozitë kalimtare për kryetarët e komanduar të gjykatave dhe prokurorive. Sipas variantit të miratuar nga komisioni, drejtuesit e komanduar do të qëndrojnë në detyrë deri në zgjedhjen e drejtuesve të rinj, por jo më vonë se dhjetori 2027. Në draftin fillestar parashikohej qëndrimi i tyre në detyrë deri më 31 dhjetor 2028.
Në të njëjtin proces u ndryshuan edhe kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve për organet drejtuese të drejtësisë. Formulimi i përgjithshëm për “integritetin moral dhe profesional” u zëvendësua me kritere më konkrete. Sipas variantit të miratuar në komision, kandidatët nuk duhet të kenë masë disiplinore në fuqi, të jenë shkarkuar më parë për shkak të një mase disiplinore, ndërsa ish-magjistratët duhet të kenë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar, kur kanë qenë subjekt i tij.
Komisioni miratoi gjithashtu forcimin e verifikimit të pasurisë dhe integritetit të figurës për kandidatët që vijnë nga avokatia dhe akademia, si dhe forcimin e rolit të Prokurorit të Përgjithshëm në përzgjedhjen e drejtuesve të prokurorive.
Projektligjet, pasi janë miratuar në komision, pritet të kalojnë për votim në seancë plenare.
Dispozita për kryetarët e komanduar është kundërshtuar nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, e cila argumenton se zgjatja e qëndrimit të tyre në detyrë mund të cenojë kompetencat kushtetuese të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Shtetësia – zgjerohet “interesi shtetëror” për të huajt
Në sesionin e ri pritet të rikthehet edhe projektligji i propozuar nga deputeti socialist Taulant Balla për ndryshimin e ligjit “Për shtetësinë”. Nisma synon të ndryshojë nenin 9, duke zgjeruar mundësinë e marrjes së shtetësisë shqiptare për shtetasit e huaj përmes procedurës së veçantë të “interesit shtetëror”.
Ndryshe nga ligji aktual, i cili e kufizon këtë mundësi te personalitete të fushave si arsimi, shkenca, arti, kultura, ekonomia dhe sporti, propozimi parashikon që shtetësia të mund të jepet kur shteti shqiptar ka “interes të posaçëm” për krijimin e një lidhjeje të qëndrueshme me një të huaj, për shkak të cilësive, aftësive apo veprimtarisë së tij private ose publike.
Procedura do të mbështetej nga ministri përgjegjës për fushën përkatëse dhe do t’i paraqitej Presidentit.
Nisma ka hapur debat për kriteret dhe hapësirën e interpretimit të konceptit “interes shtetëror”, veçanërisht në kontekstin e përpjekjes së mëparshme për “pasaportat e arta”, të tërhequr pas kundërshtimeve të Komisionit Evropian.
Pagat e magjistratëve – në pritje të formulës së re
Një nga çështjet më të ndjeshme që pritet të rikthehet në shtator është projektligji për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pak para mbylljes së sesionit, deputetët socialistë Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli depozituan projektligjin që propozon rritjen e koeficientit të pagave nga 0.36 në 0.38.
Sipas propozuesve, formula synon të rregullojë pagat e magjistratëve duke ruajtur raportet me nivelet e tjera të pagave në sektorin publik. Sipas tyre, një rritje më e lartë do të krijonte diferenca të mëdha me pagat e niveleve të tjera drejtuese të shtetit.
Më 17 shkurt 2026, Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve lidhur me formulën e llogaritjes së pagave dhe shfuqizoi dispozitat problematike të ligjit të vitit 2023.
Gjykata i la Kuvendit detyrën për të ndërhyrë në ligj dhe për të përcaktuar një formulë të re të llogaritjes së pagave, duke caktuar 31 korrikun 2026 si afat për ndërhyrjen ligjore. Deri në përfundim të këtij afati, Kuvendi nuk kishte miratuar formulën e re.
Në shtator pritet shqyrtimi i projektligjit, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rillogaritjen e pagave edhe për periudhën e kaluar.
Buxheti 2027 – pagat, pensionet dhe investimet në fokus
Një nga çështjet kryesore që pritet të shoqërojë sesionin e ri parlamentar do të jetë përgatitja dhe shqyrtimi i Buxhetit të Shtetit për vitin 2027, në kuadër të Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029.
Në fokus do të jenë fondet për pagat, pensionet, investimet publike dhe politikat sociale, por edhe mënyra se si do të shpërndahen fondet për infrastrukturën dhe kontratat koncesionare.
Sipas dokumenteve të përgatitura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cituara në një analizë mbi draftet buxhetore, për vitin 2027 janë parashikuar rreth 515 milionë lekë për shërbime inxhinierike të pavarura dhe mbikëqyrjen e kontratave koncesionare, ndërsa fondi për emergjencat në rrjetin rrugor është rreth 40 milionë lekë.
Paketa Fiskale 2027 – taksat dhe ndryshimet që priten
Një tjetër çështje që pritet të jetë pjesë e diskutimeve në sesionin e ri parlamentar është Paketa Fiskale 2027, përmes së cilës qeveria do të përcaktojë politikat dhe ndryshimet fiskale për vitin e ardhshëm.
Procesi i hartimit të paketës ka nisur, ndërsa Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka kërkuar përfshirjen e komunitetit të biznesit në konsultimet për ndryshimet e pritshme.
Në këtë fazë, nuk është publikuar ende një draft përfundimtar i Paketës Fiskale 2027, ndaj detajet konkrete mbi normat e taksave dhe tatimeve mbeten për t’u përcaktuar. Në fokus pritet të jenë politikat mbi tatimin mbi të ardhurat nga puna, pagën minimale, trajtimin fiskal të bizneseve, TVSH-në, akcizat dhe masat për administrimin dhe formalizimin fiskal.
Strategjia Afatmesme e të Ardhurave 2024–2027 parashikon ndërhyrje në politikat e të ardhurave dhe administrimin fiskal gjatë kësaj periudhe.
Paketa Fiskale 2027 pritet të jetë një nga çështjet kryesore të debatit në Kuvend gjatë sesionit të vjeshtës, veçanërisht për ndikimin që ndryshimet e mundshme do të kenë te bizneset, pagat, punësimi dhe kostoja e jetesës.
Integrimi në BE – përafrimi i legjislacionit
Në sesionin e vjeshtës pritet të vijojë puna e Kuvendit për përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis-in e Bashkimit Evropian, në kuadër të negociatave të anëtarësimit.
Pas përfundimit të screening-ut për të gjashtë grup-kapitujt dhe mbylljes së kapitujve 25, 26 dhe 30 në korrik 2026, fokusi do të jetë te reformat dhe masat që kërkohen për përmbushjen e kritereve të kapitujve të tjerë.
Komisioni Evropian, në Raportin e Shqipërisë 2025, ka evidentuar një sërë fushash ku nevojiten hapa të mëtejshëm në përafrimin e legjislacionit dhe zbatimin e reformave.







