Studentët shqiptarë në Shkup kanë dalë në protestë këtë të hënë, duke kundërshtuar moslejimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë që sipas tyre garantohet nga ligji dhe Kushtetuta.
Të shumtë në numër, protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si “Ligji për gjuhët është i qartë”, “Mos mohoni të drejtën e fituar”, “Marrëveshja e Ohrit nuk negociohet” dhe “Dorëheqje”.
Protesta nisi me një marshim nga Ura e Gurit dhe vijoi drejt Ministrisë së Drejtësisë, ku studentët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për çështjen e tyre.
Sipas organizatorëve, 385 studentë shqiptarë nga tre universitete kanë firmosur një peticion, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat e tyre ligjore.
Studentët theksojnë se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre dhe paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse institucionet nuk reagojnë.








