Një 34-vjeçar shqiptar, i dënuar në Itali për trafik droge, është arrestuar në aeroportin Madrid-Barajas të Spanjës, pas disa vitesh në arrati. Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane dhe pritet t’u dorëzohet për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Arrestimi u bë gjatë një kontrolli kufitar, ndërsa hetimet ndërkombëtare ndihmuan në zbulimin e identitetit të tij, pasi ai kishte ndryshuar gjeneralitetet dhe kishte siguruar një pasaportë të re shqiptare.
Emri i 34-vjeçarit ishte përfshirë në një hetim antidrogë të zhvilluar në Rimini të Italisë. Më 10 tetor 2012, ai u arrestua së bashku me 10 persona të tjerë, ndërsa gjatë operacionit iu gjetën rreth 1 kilogram heroinë.
Disa vite më vonë, më 19 shkurt 2019, Prokuroria e Riminit lëshoi ndaj tij një urdhër-arresti për ekzekutimin e dënimit të dhënë nga drejtësia italiane. Sipas vendimit, shqiptarit i kishin mbetur për të vuajtur 6 vjet, 10 muaj e 8 ditë burg, si dhe duhej të paguante një gjobë prej 64 mijë eurosh.
Sipas të dhënave të hetimit, gjurmët e tij kishin humbur që prej vitit 2015. Ndryshimi i identitetit dhe pajisja me dokumente të reja nuk e penguan, megjithatë, identifikimin e tij nga autoritetet gjatë kontrolleve në Spanjë.
Pas arrestimit në Madrid, pritet të vijojnë procedurat për dorëzimin e 34-vjeçarit te autoritetet italiane, ku do të ekzekutohet vendimi i dënimit.







