Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Fatjon Janinën, 39 vjeç, i cili akuzohet për vrasjen e fqinjit të tij, Paulin Gina, 82 vjeç. Viktima u gjet i masakruar në banesën e tij në lagjen 16 të qytetit bregdetar më 30 dhjetor.
Sipas hetimeve, ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti për një borxh prej 200 mijë lekësh të vjetra që viktima nuk e kthente. Fatjon Janina ka pranuar autorësinë e krimit, duke deklaruar para gjykatës të njëjtin motiv që kishte dhënë edhe gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor.
82-vjeçari jetonte i vetëm në apartamentin e tij. Pas krimit, autori ka mbyllur derën me çelës nga jashtë dhe është larguar, duke fshehur mjetet e përdorura për vrasjen, përfshirë dy thika dhe një çekiç.
Policia i gjeti këto prova në banesën e tij gjatë kontrollit, së bashku me veshje të njollosura me gjak. Të gjitha provat janë dërguar për ekzaminime në Institutin e Policisë Shkencore.