Pak ditë më parë u shfaq në “Top Channel” biznesmeni komtravers Lul Morina, me qëllim për të kuruar imazhin e tij. Ai është akuzuar për ndërtime pa leje, por ka pasur shumë akuza se ka dorë dhe në aktivitete të tjera të paligjshme si trafik droge dhe pastrim parash. Ajo që ngjalli habi te moderatosja Grida Duma, ishte “ngritja në qiell” e Edi Ramës. Lul Morina shprehet se jemi me shumë fat që e kemi Ramën kryeministër.
Pas kësaj deklarate duket se fshihen interesat financiare dhe plane për të pastruar para me resorte në bregdet.
Juljan Morina, i njohur si Lul Morina, përmes komapnisë me aktivitet të dyshimtë Xheluks Construksion shpk, ka aplikuar për të marrë statusin e investitorit strategjik, me qëllim për të ndërtuar në resort në Himarë me vlerë rreth 18 milionë euro.
Bëhet fjalë për projektin investues “Livadh Beach Resort”, planifikuar për t’u zbatuar në prona të grabitura dhe me para të dyshimta.
Projekti i investimit është bllokuar përkohësisht nga Edi Rama “deri sa të qartësohet dhe plotësohet informacioni i vënë në dispozicion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë“.
Vendimi i bllokimit provizor është firmosur nga Edi Rama në maj të këtij viti. Gjatë këtyre muajve duket se Lul Morina ka lëvizur fijet për të kopsitur letrat e pronës së tjetërsuar në Himarë, e piketuar për të ndërtuar resortin.
- Planin për të shpallur Lul Morinën investitor strategjik mund t’a prishë vetëm SPAK-u, nëse do të nisë një hetim mbi aktivitetin e dyshimtë të biznesmenin, lidhjet me bosë droge dhe pesona të kërkuar ndërkombtarisht për pastrim parash dhe mashtrim, si dhe për burimin e parave, me të cilat Morina ka ngritur një pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro, kamufluar me disa kompani fantazmë.
Ndërtime pa leje
Skandali i ndërtimit të kullave pa leje nga Lul Morina në zonën më të lakmueshme të Tiranës, është i shumëfishtë.
Së pari, Lul Morina ka ndërtuar një pallat me 9 kate pa leje dhe shtesa në një objekt tjetër pa leje, dhe organet ligjzbatuese nuk kanë ndërhyrë për të bllokuar punimet, pasi Morina besohet se i ka blerë dhe korruptuar me para të pista.
Së dyti, edhe pse në një rast policia ka referuar në prokurori Lul Morinën për ndërtim pa leje, sërish biznesmeni nuk është ndaluar, duke ia hedhur drejtësisë. Ka dyshime të forta se Morina ka blerë prokurorin e çështjes për zvarritjen dhe mbylljen e dosjes.
Së treti dhe më e rëndësishme, Lul Morina ka ngritur kulla pa leje me para të dyshimta. Me kompani fantazmë, Lul Morina ka investuar dhjetëra miliong euro. Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Krimi Ekonomik nuk e kanë referuar si rast në Prokurori.
Kompani fantazmë, pasuri e dyshimtë
Lul Morina u shfaq në fushën e biznesit të ndërtimit në vitin 2005, duke i blerë Shaban Zekajt aksionet në kompaninë ‘Rinia 04’, themeluar në vitin 2004, me kapital 100 mijë lekë, me zyra në Fier.
Një vit më pas, Morina i shton kompanisë fantazmë të ndërtimit si objekt veprimtaria edhe import/eksport të frutave/perimeve. Importi i frutave, sidomos nga Ekuadori dhe Kolumbia, është forma më e përhapur e kamuflimit të trafikut të kokainës. Kompania ‘Rinia 04’, herë rezulton me bilance dhe herë pa bilance, duke ngritur dyshime të forta për një skemë të pastrimit të parave.
Në vitin 2012, Morina i blen Besnik Serdanit kompaninë Xheluks Construksion, për 100 mijë lekë, me të cilën ka ndërtuar pallatin pa leje tek Liqeni i Thatë në Tiranë. Edhe kjo kompani ishte themeluar në vitin 2010 dhe nuk kishte ndonjë aktivitet të konsoliduar ekonomik.
Në vitin 2018, Lul Morina i blen Jorgji Ruçit kompaninë “Drymades Dream”, për 7.5 milionë lekë, duke ndërtuar më pas resorte më vlerë miliona euro. Çuditërisht edhe kjo komapni kishte si objekt import/eksport të fruta/perimeve.
Disa muaj më pas, Lul Morina, me këtë kompani, hyn në ortakëri me vëllezërit indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, në kërkim për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliardë USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi.
Me anë të këtyre kompanive fantazmë dhe që i ka blerë me më pak se sa 10 milionë lekë, Lul Morina ka qarkulluar miliarda lekë dhe ka investuar dhjetëra milionë euro në pasuri të paluajtshme, si resorte, hotele dhe pallate, por edhe duke blerë jaht, makina të shtrenjta etj.
-A qëndron Lul Morina pas një prej linjave kryesore të trafikut të kokainës nga Kolumbia dhe Ekuatori drejt Portit të Durrësit?
-A ka punuar Arbër Çekaj, i arrestuar për 613 kg kokainë të kapura në Portin e Durrësit, për Lul Morinën?
-A janë para kokainë miliona euro të kamufluara me tre kompani ndërtimi fantazmë?
Lidhja me vëllezërit indianë
Emri i Lul Morinës doli edhe një herë në vitin 2019 gjatë historisë së pazakontë të vëllezërve indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të dyshuar për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliard USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë qindra milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.
Dy vëllezërit indianë gjetën strehë në Shqipëri, ndërsa u pajisën me nënshtetësi nga Ilir Meta, ndonëse drejtësia indiane i kërkonte në të gjithë botën për pastrim parash. Ata krijuar në vitin 2017 dy kompani ndërtimi “Tulja Real Estate” dhe “Laxmi Real Estate&Investment”, ndërsa dhjetor 2018 hynë në ortakëri me 50 % të aksioneve me Lul Morinën, në kompaninë “DRYMADES DREAM”, e cila mes aseteve ka edhe resortin e njohur “DRYMADES DREAM” në Dhërmi.
Dy vëllezërit blenë 50 % të aksioneve për 100 mijë euro. Tre muaj më pas, Lul Morina i merr sërish 50 % të aksioneve, përmes kompanisë ‘Rinia 04’, duke u dhënë dy vëllezërve indianë një apartament në Vlorë.
Lidhja me futbollin dhe jeta e luksit
Lul Morina njihet edhe si ish donator i Klubit të Futbollit Tirana. Madje, në fund të vitit 2019, Morina shprehu interesin për t’i blerë Bashkisë së Tiranës 34 % të aksioneve të Klubit Tirana. “Me sa di unë, ekipi ka pasur dhe ka disa borxhe të mëparshme që ekzistonin që kur isha unë pjesë e Tiranës. Nuk kam një pasqyrë të qartë të situatës dhe borxheve. Fakti që dua të hyj në këtë klub dhe të marr aksionet e bashkisë ka përgjegjësi më vete. Këtë lëvizje e bëj për të ndërtuar diçka më të mirë, për të ngritur Tiranën atje ku e ka vendin”, tha Julian Morina.
Julian Morina njihet për jetën e luksit, ku ekspozon në rrjetet sociale një jaht me mbiemrin e tij ‘Morina’, makinë Rolls Royce etj. Lul Morina shfaqet në regjistrin e biznesit 12 vitet e fundit, ndërsa nuk dihet baza mbi të cilën e ngriti kapitalin.
Transferoi mijëra euro në llogarinë e gruas së ish-ministrit Tahiri
Një hetim i nisur nga prokuroria e Posaçme për verifikimin e pasurisë së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka çuar në ambientet e SPAK biznesmenin nga Fieri, Lulzim Morina.
Aa dhënë kohë më parë shpjegime për disa transaksione bankare me vlerë mbi 100 mijë euro, transferta këto që janë kryer gjatë vitit 2016-2017 tek llogaria e Fatlinda Tahirit, bashkëshortja e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.
Gjatë marrjes në pyetje, burimet thanë se, Lulzim Morina, ka pranuar kryerjen e këtyre transaksioneve, duke pretenduar se shumat financiare janë dhënë në formën e borxhit.
Sipas tij, huaja është kthyer sërisht mbrapsht dhe për këtë gjë ka premtuar se do i vendoste në dispozicion hetuesve të çështjes mandatet bankare.
Pas kësaj dëshmie të shkurtër, Morina është lënë i lirë të shkojë, por duke i mbajtur aparatin e telefonit. Bllokimi i është kryer me qëllim kqyrjen e bisedave dhe ekspertimit teknik të tij, ku shpresohet të gjendet biseda dhe materiale që i shërbejnë këtij hetimi.