Koncesionet me miliarda lekë nga buxheti i shtetit, por raporti që duhet të tregojë se çfarë ndodh me këto para mungon prej dy vitesh. Ndërsa shqiptarët paguajnë faturat e PPP-ve, Ministria e Financave hesht për monitorimin e tyre.
Institucioni që duhet të mbikëqyrë kontratat koncesionare, Drejtoria e Koncesioneve në varësi të Ministrisë së Financave, nuk ka publikuar raportin vjetor të performancës së kontratave, pavarësisht se ky është një detyrim ligjor.
Në qendër të pikëpyetjeve është drejtori përgjegjës Edmond Ahmeti, i cili duhej të drejtonte përgatitjen e raportit të monitorimit. Por sipas të dhënave, drejtoria që dikur kishte tetë ekspertë sot funksionon me një numër minimal punonjësish.
Ndërkohë, edhe Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO), e krijuar pikërisht për këtë qëllim, nuk ka bërë publike një raport për ecurinë e kontratave.
Në një kohë kur kontratat koncesionare marrin miliarda lekë nga buxheti i shtetit, pyetja mbetet: ku është transparenca dhe kush mban përgjegjësi kur raportet që duhet të kontrollojnë paratë publike nuk shfaqen?
Për kritikët, mungesa e raportimit ka krijuar një “zonë të errët” rreth koncesioneve, ndërsa institucionet që duhet të japin llogari vijojnë të heshtin.
Pse fshihet raporti i koncesioneve?
Gjatë vitit të kaluar, këto kontrata përfituan sëbashku 11.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit si dhe një sasi jo të njohur të ardhurash të paguara nga shqiptarët përmes tarifave të shërbimeve, të cilat ofrohen në kushtet e monopolit faktik.
Disa nga këto kontrata koncesionesh kanë ngecur. Afati i dorëzimit të kontratës për ndërtimin e Rrugës së Arbrit u shty deri në vitin 2025, ndërsa ecuria e koncesionit të inceneratorit të Tiranës është gjithashtu e panjohur. Ministria nuk ka bërë të ditur nëse deklaratat e kompanisë koncesionare në raportin e vitit 2020 se incineratori po pret 30 milionë euro pajisje, është materializuar apo jo. Dimë vetëm që SPAK ka nisur hetimet për këtë koncesion.
Asnjë nga këta dy drejtorë nuk e ngriti zërin kur në fillim të vitit u zgjat koncesioni i pullave tatimore, i kundërshtuar gjerësisht nga biznesi.
Ndërkohë, Ministria e Financave ka rritur shpenzimet për Koncesionet dhe kjo situatë parashikohet të vazhdojë edhe për 2 vitet e ardhshme. Kjo shtesë bëhet në mungesë transparence dhe sjell risk të lartë fiskal. Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditimi që ka kryer së fundmi në Ministrin e Financave dhe Ekonomisë ka konstatuar abuzimet e bëra me pagesat e koncesioneve.
Fillimisht bie në sy se pas vitit 2020, ku vendi u përfshi nga pandemia e Covid-19, MFE në vend që të merrej me krizën ekonomike e ka thelluar më shumë atë duke rritur financimet për PPP-të. Konkretisht tregohet, se në vitin 2021 financimet janë rritur me 19.6% një vlerë e konsiderueshme. Shtesë është bërë edhe në pagesat e koncesioneve vitin 2022 me 9%.
“Kontratat koncesionare/PPP që rezultojnë me rritje pagesash për periudhën 2020-2022 janë:
-kontrata “Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajtje e Rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum-Dukat (Ura e Shën Elizës)”;
-kontrata “Financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë”;
-kontrata “Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë (Check-up)”;
-kontrata “Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril një përdorimesh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale)”;
-kontrata “Ofrimi i shërbimit të dializës”; kontrata “Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore”, tregohet në raport.







