Investimet publike të mbështetura nga Bashkimi Europian në Shqipëri po shënojnë përparim, por zbatimi i tyre vijon të pengohet nga procedurat e prokurimit, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe problemet me sigurimin e tokës.
Këto janë disa nga përfundimet e një misioni monitorues të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, i cili shqyrtoi investimet e financuara nëpërmjet Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Që nga viti 2009, në Shqipëri janë investuar më shumë se 600 milionë euro në projekte publike në sektorët e transportit, energjisë, mjedisit dhe teknologjisë digjitale.
Në takimin e zhvilluar këtë vit në në Tiranë morën ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Hekurudhës Shqiptare, SASPAC, KESH, AKSHI dhe OST, së bashku me institucionet financiare partnere, si BERZH, KfW dhe Agjencia Franceze për Zhvillim u vërejt se pengesa në prokurime dhe boshllëqe në koordinimin institucional po vazhdojnë të vonojnë zbatimin.
Një ndër projektet e shqyrtuara ishte ngritja e laboratorëve inteligjentë në shkollat shqiptare. Nisma synon krijimin e laboratorëve kompjuterikë për më shumë se 190 mijë nxënës, por përgatitja dhe hapja e tenderit për këtë investim po rezulton një proces kompleks.
Në sektorin e energjisë, diskutimet u përqendruan te parqet fotovoltaike në Vaun e Dejës dhe Belsh, si dhe te segmenti i rrjetit të interkonjeksionit energjetik ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Komisioni Europian evidentoi se sigurimi dhe shpronësimi i tokës po ndikojnë në afatet e zbatimit të projekteve të energjisë dhe transportit, duke vonuar edhe rezultatet konkrete në terren.
Vlerësimi kërkon gjithashtu thjeshtimin e procedurave kombëtare për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve të huave dhe granteve. Ndryshimet e shpeshta në objektin, përparësitë apo mënyrën e zbatimit të projekteve duhet të shmangen, pasi krijojnë vonesa dhe pasiguri.
Një tjetër problem lidhet me kapacitetet institucionale, veçanërisht për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve hekurudhore. Për këtë sektor kërkohet forcimi i strukturave përgjegjëse dhe përgatitja më e mirë e projekteve përpara kalimit në fazën e financimit.
Misioni i Komisionit Europian u zhvillua nga 25 deri më 29 maj 2026 dhe përfshiu Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Në të tria vendet u evidentua nevoja për koordinim më të fortë, përgatitje më të shpejtë të investimeve dhe procedura më të thjeshta për prokurimin dhe zbatimin e projekteve.
Në Bosnjë-Hercegovinë, BE-ja ka kontribuar që nga viti 2009 me 1.1 miliardë euro për 33 projekte infrastrukturore, ndërsa portofoli i Malit të Zi arrin në 388 milionë euro për 20 projekte publike.
Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor është një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe vendeve përfituese, që synon financimin e zhvillimit ekonomik dhe afrimin e rajonit me Bashkimin Europian./ Monitor







