Ditën e hënë, moti në vendin tonë pritet të karakterizohet nga paqëndrueshmëri atmosferike, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash që do të bëhen më të dendura gjatë orëve të mesditës.
Reshjet e shiut do të nisin në jug të vendit, fillimisht me intensitet të ulët, për t’u shtrirë gradualisht edhe në pjesën tjetër të territorit. Në jug dhe pjesërisht në zonat qendrore, shiu pritet të shoqërohet me shtrëngata afatshkurtra dhe shkarkesa elektrike.
Mjegulla dhe mjegullina do të jenë të pranishme në orët e para të mëngjesit, si dhe gjatë episodeve me reshje.
Era do të fryjë nga verilindja në juglindje me një shpejtësi mesatare prej 9 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të arrijë deri në 19 m/s. Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 3-5 ballë.







