Një 44-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët italianë në qytetin e Carpit, në zbatim të një urdhri arresti të lëshuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Orvietos.
Sipas autoriteteve italiane, shqiptari, banues në Modena, ishte dënuar me 2 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprat penale të posedimit të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen dhe rezistencës ndaj forcave të rendit. Krimet datojnë më 11 qershor 2010 dhe janë kryer në komunat Orvieto dhe Allerona.
44-vjeçari u lokalizua gjatë kontrolleve rutinë të zhvilluara nga Njësia Operacionale e Karabinierëve në Carpi. Pas verifikimit të identitetit, efektivët ekzekutuan urdhrin e arrestit që ishte në fuqi ndaj tij.
Pas ndalimit, shqiptari u shoqërua në Burgun e Qarkut të Modenës, ku është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore për vuajtjen e dënimit.







