Teherani zyrtar ka reaguar për herë të parë ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi Iranin se po zhvillon një luftë hibride kundër Shqipërisë dhe se mund të qëndrojë pas protestave kundër projektit turistik në Zvërnec.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe “qesharake”. Sipas tij, autoritetet shqiptare po përdorin Iranin si justifikim për të shmangur përballjen me pakënaqësitë e qytetarëve.
“Irani po përdoret si justifikim për të shmangur përgjegjësinë përballë popullit shqiptar. Këto akuza janë një model i përsëritur nga qeveri që kërkojnë afrim me regjimin sionist. Në vend që t’u përgjigjen kërkesave legjitime të qytetarëve, autoritetet shqiptare zgjedhin të hedhin akuza qesharake ndaj Iranit”, deklaroi Baghaei.
Ai shtoi se qytetarët shqiptarë janë në gjendje të gjykojnë vetë dhe nuk do të bien pre e pretendimeve të tilla.








