Grand Park Skyline duket se do të projekti më i ri i pastrimit të parave të krimit në ndërtim në zemër të Tiranës nga Tre Musketerët strategjikë të përvetësimit të pasurive publike falë lidhjeve klienteliste me Edi Ramën, mashtruesi Ylli Ujka, ortaku i tij Çesak Ivanaj si dhe Ilir Trebicka, investitor strategjik i dyfishtë, shoku në basketboll i Ramës.
(Çesk Ivanaj, Ylli Ujka dhe Ilir Trebicka)
Vetëm për prezantimin dhe reklamimin e projektit të pastrimit të parave ku është aktualisht Tirana Bank tek Garda pranë Parkut të Liqenit, janë hedhur qindra mijëra euro. Prezantimi iu besua moderatores Arbana Osmani.
Në takim morën pjesë përfaqësues të pushtetit dhe biznesmenë, shumica me dosje në SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
Investimi me vlerë qindra milionë euro do të realizohet nga kompania fantazmë X One, themeluar në vitin 2021 nga Ylli Ujka dhe Çesak Ivanaj, me kapital 1 milionë lekë.
Kompania, siç e konfirmon ky dokument i performancës për vitet 2022-2023, ka bilance të brishta; një fitim modest dhe xhiro vjetore e papërfillshme në raport me investimet qindra milionë euro.
Në shkurt të vitit 2024, në lojë hyn Ilir Trebicka, shoku i hershëm i Edi Ramës, një nga përfituesit ikonikë të pasurive publike, i cili ‘blen’ 26 % të aksioneve të kompanisë X One.
Ish baskebollisti që u kthye në oligark, falë miqësisë me kryeministrin Edi Rama që nga koha kur të dy kanë qenë të angazhuar me basketbollin, ka përfituar miliona m2 prona publike si dhe leje për ndërtim kullash, kompleks pallatesh, vilash dhe resorte nga Tirana në Dhërmi.
Pas futjes së Ilir Trebickës si aksioner në kompaninë X One, Ylli Ujka u shfaq në zyrën e Edi Ramës.
Ndërkaq, në mbledhjen e datës 7 gusht të këtij viti, Këshilli Kombëtar i Territorit me në krye Edi Ramën, miratoi lejen e zhvillimit për ndërtimin e një kulle 40 kate, të quajtur “Grand Park Skyline”, me vendndodhje në Rrugën “Adem Jashari” dhe që do të ndërtohet nga kompania X One, me pronarë Ylli Ujka, Çesak Ivanaj dhe Ilir Trebicka.
Projekti i prezantuar disa ditë më parë nuk përfshin vetëm kullën 40 kate pranë Parkut të Liqenit tek Garda, por një kompleks ndërtimesh prej 145 mijë m2, me rreth 530 apartamente, 184 dhoma hoteli, restorante, kafene, tarracë panoramike, kinema, dyqane, spa, palestër dhe mbi 800 vende parkimi nëntokësore.
Nga burojnë paratë e investimit? Kësaj pyetje mund t’i japë përgjigje vetëm SPAK-u. Në një raport të publikuar në prill të këtij viti, SPAK konstaton se paratë e krimit kryesisht pastrohen në sektorin e ndërtimit, në blerje apartamentesh, ndërtesash, trojesh apo blerje biznesesh.
Një kompani fantazmë, pa historik dhe pa kapital, do të ndërtojë një qytet brenda kryeqytetit. Dyshimet janë të forta se pas këtij projekti fshihet mbledhja dhe investimi i parave të krimit.
Prej disa ditësh, Ylli Ujka, Çesak Ivanaj dhe Ilir Trebicka kanë nisur të shesin apartamentet pa nisur ende ndërtimi. Një apartament 100 m2 shitet rreth 500 mijë euro.
Tre Musketerët investitorë strategjikë, përlajnë 137 hektarë pronë publike në Lezhë
Në 23 korrik 2024, Ylli Ujka, Çesak Ivanaj dhe Ilir Trebicka, përmes kompanisë X One dhe me firmën e Edi Ramës, kanë fituar statusin e investitorit strategjik. Tre strategjikët e qeverisë kanë përfituar falas 137 hektarë pronë publike në fshatrat Baqel dhe Kodhel të Lezhës.
Tre strategjikët kanë kopsitur letrat për ndërtimin e një resorti, vreshtarie dhe kantine vere me vlerë 5 milionë euro. Mbetet sërish mister burimi i parave të investimit.
4 milionë m2 prona publike në Poliçan me procedurë korruptive
Ylli Ujka, Çesak Ivanaj dhe Ilir Trebicka mbajnë rekord në Shipëri për sipërfaqen e tokës që kanë marrë me qira për të ngritur biznesin e energjisë me fotovoltatike.
Përmes dy tendera fiktivë, me ofertë sa çmimi tavan dhe pa konkurrencë, X One ka marrë nga Bashkia Poliçan rreth 4 milionë metra katorë prona me qira për fotovoltatike, prona për të cilat do të paguajë 700 mijë euro në vit.
Së pari, në tender ka marrë pjesë vetëm kompania X One, edhe pse ka qindra kompani të interesuara për të investuar në fotovoltaike.
Së dyti, oferta fituese e kompanisë X One është sa çmimi dysheme i vendosur nga Bashkia Poliçan me në krye Adriatik Zotkaj, një personazh i dënuar të paktën 4 herë me vendime të formës së prerë.
Së treti, kompania X One, e cila do të investojë miliona dhe ndoshta dhjetëra milionë euro, është themeluar në vitin 2021 dhe kapitali i saj është vetëm 1 milionë lekë.
Kalimi i pronës publike në duart e Tre Muskëtjerëve strategjikë është firmosur nga Adriatik Zotkajt, kryebashkiaku i përjetshëm i Bashkisë së Poliçanit, i dënuar 4 herë për vepra të rënda penale dhe që i ka dhënë tendera djalit të tij. Është e habitshme se si Zotkaj i ka shpëtuar deri më sot arrestimit nga SPAK, pasi si fakt penal do të mjaftonte kalimi i parave të bashkisë në xhepat e djalit të tij.
Ylli Ujka investim 300 milionë euro te Rana e Hedhun? Akuza për vjedhje pronash
Një vit më parë, Ylli Ujka u shfaq në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, ku deklaroi se do të bënte një investim strategjik me vlerë 300 milionë euro te Rana e Hedhun.
“Në zonën e Ranës së Hedhun po bëjmë një investim strategjik. Vlera e investimit shkon mbi 300 milionë Euro. Është mbi një sipërfaqe të madhe ku intensiteti besoj që është më i ulëti në çdo resort në Shqipëri në mënyrë që të kemi një raport perfekt me natyrën, pra mos dëmtohet natyra. Do fillojë pjesa poshtë me hotelin dhe pastaj një pjesë rezidenciale dhe sipër pjesa e hotelerisë“.
Më shumë se investimi, premtimi duket se është një mashtrim strategjik. Nëse vlera prej 300 milionë eurosh do të ishte e vërtetë, atëherë Ylli Ujka do të ishte sot në Shqipëri investitori më i madh, madje do tejkalonte edhe investimin e francezëve në Karavasta, që konsiderohet si një prej investimeve më të mëdha në vend vitet e fundit.
Kemi të bëjmë me një mashtrues që hiqet si pronar tokash dhe që akuzohet se ka vjedhur pronat e kushërinjve të tij në Lezhë me premtimin se do investojë 300 milionë euro në një investim strategjik në Ranën e Hedhun.
Ilir Trebicka investitor strategjik i dyfishtë, resort dhe vila në Dhërmi
Për shkak të njohjes me Ramën, Ilir Trebicka, përmes kompanisë “Drimadhe I & I” sh.p.k., ku është aksioner mazhoritar dhe aksioner në Minorancë Ilir Hoxhallari, ka marrë pesë vite më parë statusin e investitorit strategjik dhe leje për një fshat turistik në zonën e Dhërmiut.
Kompleksti turistik “Thymus” përmban 2 hotele dhe një fshat turistik me 38 vila dy-tre katëshe që po ndërtohet në Dhërmi.
Më vonë, Edi Rama vendosi t’i shtojë edhe 2,336 metra katrorë sipërfaqen e ndërtimit për mikun e tij Ilir Trebicka.
Vendimi për ndryshimin e projektit është marrë 5 vite pasi subjekti mori statusin e investitorit strategjik, në vitin 2019.
Këshilli Kombëtar i Territorit me një vendim të prillit të këtij viti, ka vendosur jo vetëm që investitori të ndryshojë projektin, por të miratojë edhe ndryshimin e zhvilluesit të tij.
Duke krahasuar planvendosjen e vitit 2019, kur Ilir Trebicka mori statusin e investitorit strategjik me kusht, me atë të vitit 2024 vihet re se ndryshime në numrin e kateve do të pësojnë dy hotelet, që do të konvertohet edhe në shtim të sipërfaqes ndërtimore.
Një tjetër ndryshim thelbësor është ai i zhvilluesit të këtij projekti. Nëse më parë Ilir Trebicka kishte marrë përsipër ndërtimin e “Hotel Chaonians Deluxe” një hotel me 4 yje, për një vlerë 5.5 mln euro, tashmë porositës dhe zhvillues do të jenë “Drimadhes I&I”, “Chaonian” Sh.p.k dhe Kristaq Duni.
Ajo që e bën të dyshimtë këtë lëvizje është fakti se Ilir Trebicka ia ka “shitur” vetes investimin strategjik, pasi ai zotëron 51% të kuotave të “Drimadhes”, ndërsa 49% zotërohen nga Ilir Hoxhallari. Ky i fundit zotëron 50% të aksioneve te kompania tjetër “Chaonian”.
Pavarësisht vendimit të KKT-së për ndryshimin e zhvilluesit, në Qendrën Kombëtare të Biznesit as Ilir Trebicka dhe as kompania “Drimadhes I&I”, nuk kanë depozituar deri më tani ndonjë dokument që të vërtetojë këtë transaksion.
Referuar adresës që lexohet në vulat e kompanive, mbi maketin e ndryshimeve të depozituar pranë KKT-se, të treja kompanitë “Drimadhes I&I”, “Chaonian” Sh.p.k dhe ajo projektuese “Trema” kanë të njëjtën adresë.
800 hektarë tokë publike në Divjakë
Ilir Trebicka ka marrë në vitin 2018 rreth 800 hektarë prona publike në Divjakë për të ngritur një fermë, ndërsa 5 vite më vonë ka marrë leje për një impiant fotovoltaik, me kapacitet të instaluar 78.5 MW, në bashkëpunim me Shpëtim Osekun, Marin Metsel dhe Ilir Hoxhallarin. Ky i fundit është përfitues i dhjetëra milionë euro tendera publikë.
Pronën publike e ka përfituar përmes kompanisë Agro Iliria Group, me anë të cilës kontrollon edhe kompanitë Agro Iliria Solar
dhe PELIKAN ENERGY.
Prona publike falas është përfituar me vendim Këshillit të Investimeve Strategjike, me në krye Edi Ramën, pa garë dhe me paracaktim për shokun e tij Ilir Trebicka.
Edhe kjo dosje është për Altin Dumanin dhe SPAK, pasi plani i zhvillimit ishte për 800 hektarë, por ky eksperiment dështoi pas disa viteve pasi kulturat rezultuan jo të përshtatshme për kultivim në tokë të kripur.
Por në vitin 2020 kompania e fitoi statusin e investitorit strategjik duke shtuar tre kultura të reja të përshtatshme: Rrushin, dardhën dhe kivin. Kështu me anë të së njëjtit vendim u miratua edhe leja për ndërtimin e një agroturizmi brenda në fermë.
Më pas në zonën e përfituar nga shteti me 1€, Ilir Hoxhallari e Ilir Trebicka diversifikuan planin e tyre duke ndërtuar një impiant fotovoltaik për t’i shitur shtetit shqiptar energji. Pra, bënë eksperimente me pasurinë publike në Divjakë.
Leje për kompleks vilash dhe pallatesh në Farkë
Në fillim të muaj korrik 2024, një muaj para miratimit të lejes për kullë 40 kate te Liqeni, Këshilli Kombëtar i Territorit me në krye Edi Ramën ka miratuar një leje për Ilir Trebickën për të ndërtuar një kompleks vilash dhe pallatesh në Farkë, mbi tokë të përfituar në mënyrë të dyshimtë.
“Leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks me banesa individuale 1 dhe 2 kate me mure rrethuese dhe godina banimi 1, 2, 3 dhe 4 kate me 1 kat parkim nëntokë”, me vendndodhje në Farkë, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Trema Investment” sh.p.k.“, thuhet në vendimin e KKT.
Kompania Trema Investment është në pronësi të Ilir Trebickës, i cili ka 40 % të aksioneve, Ilir Hoxhallari 20%, turku Yusuf Gõkdemír 20% dhe Ermal Koka 20%. Ilir Trebicka është edhe administrator i kompanisë përfituese, themeluar në vitin 2023, me kapital 100 mijë lekë.
Krahas misterit të përfitimit të pronës ku do ndërtohen vilat deri në 4 kate, ngrihen dyshime edhe për pastrim parash, pasi kemi të bëjmë me një kompani fantazmë, pa veprimtari.