Biznesmeni Ermal Beqiri, i arrestuar më 24 korrik në Francë pasi fluturoi me një avion mbi hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly, rezulton të jetë pronar i një kështjelle luksoze me vlerë rreth 2.6 milionë euro, e cila tashmë është pjesë e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas të dhënave të referuara nga SPAK, prona përputhet me Château d’Auteuil, një rezidencë historike e ndërtuar në shekullin XVI, me sipërfaqe rreth 1.200 metra katrorë, e vendosur në komunën Berneuil-en-Bray.
Kompleksi është i rrethuar nga një park i gjerë dhe ruan elemente të fortifikimit të epokës. Fasadat dhe çatitë e tij janë të klasifikuara si monument historik i mbrojtur nga shteti francez. Regjistrat zyrtarë tregojnë se kështjella është blerë më 30 dhjetor 2024 për shumën 2.612.200 euro, vlerë që përputhet me shifrën e bërë publike nga SPAK.

SPAK njoftoi se, në bashkëpunim me autoritetet franceze, janë identifikuar disa pasuri me origjinë të dyshuar kriminale në territorin francez. Mes tyre përfshihen llogari bankare me mbi 2 milionë euro, dy apartamente, automjete, një avion turistik, si dhe një kështjellë në departamentin Oise, rreth një orë larg Parisit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Beqiri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që në dhjetor 2025, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” dhe ishte lëshuar njoftim Red Notice nga Interpoli.
Biznesmeni, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, akuzohet se ka përfituar tenderë publikë me vlerë mbi 1.1 milionë euro nëpërmjet një skeme të dyshuar presioni dhe manipulimi të procedurave të prokurimit. Ai hetohet për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka sekuestruar 10 pasuri të Beqirit në Shqipëri, përfshirë prona në Tiranë, Vlorë, Golem dhe Rolling Hills, një jaht, kompani tregtare, automjete dhe llogari bankare.
Dosja lidhet me hetimet për tenderat e AKSHI-t, ku janë vendosur masa sigurie edhe ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, Ergys Agasit dhe disa zyrtarëve e biznesmenëve të tjerë, të dyshuar për korrupsion, manipulim tenderash, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.







