Zjarri i nisur nga soba e druve për pak sa nuk i ka marrë jetën një çifti të moshuarish në Frakull të Fierit. Flakët janë përhapur me shpejtësi duke rrezikuar jetën e tyre duke qenë se në atë orë ata ndodheshin në dhomën ngjitur me vendin ku ndodhej soba e druve. Ka qenë një komshi dhe i afërm, i cili rastësisht ka parë flakët të dalin mbi çati dhe menjëherë ka kërkuar ndihmë ndërsa i ndihmuar nga komshinj të tjerë ka nxituar të nxjerrin jashtë banese dy të moshuarit.
Në vendngjarje mbërriti Policia dhe Shërbimi zjarrfikës që bënë të mundur shuarjen e flakëve, të cilat mund të përhapeshin edhe në banesat përreth. Megjithatë, shtëpia u shkatërrua plotësisht e bashkë me të edhe mundi i disa viteve pune. Asgje nuk mbeti, orenditë, veglat e punës, dollapët madje edhe lekët dhe vaji i ullirit që ndodhej në bodrum, gjithçka u përfshi nga flakët.
Mes emocionesh Isa Muçaj, i zoti i shtëpisë, tregoi si ndodhi ngjarja ndërsa apeloi për ndihmë pasi gjithçka ai kishte humbi sa hap e mbyll sytë.
Me ftohjen e motit, ngrohja me dru është alternativa më e përdorur për ngrohje në zonat rurale ndërsa rastet e zjarreve nuk mungojnë.