Nxitja e bashkëpunimit ekonomik dhe e investimeve mes dy vendeve në energji, infrastrukturë dhe logjistikë ishin temat qendrore të Forumit të Biznesit Shqipëri-Japoni, që u mbajt në Tiranë.
Forumi u organizua nga JETRO, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe AIDA, me mbështetjen e Ambasadës së Japonisë në Shqipëri dhe me angazhimin e plotë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni, AJCCI. Në forum mori pjesë edhe presidenti i Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme, JETRO, z. Susumu Kataoka.
Aktivitetin e përshëndetën ambasadorja japoneze në Tiranë, znj. Kikuto Kato, dhe ambasadori shqiptar në Japoni, z. Ermal Muça dhe zyrtarë të lartë të institucioneve shqiptare.
Presidenti i JETRO-s, i cili kishte ardhur në Tiranë i shoqëruar nga 17 biznesmenë japonezë për të shqyrtuar nga afër mundësitë e investimit dhe të bashkëpunimit, dha një deklaratë të përbashkët për mediat me z. Avni Ponari, president i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro-Japoneze (AJCCI).
Presidenti i JETRO-s, z. Susumu Kataoka, u ndal te arsyet pse JETRO i kushton rëndësi të veçantë Shqipërisë:
“JETRO i ka kushtuar vëmendje të veçantë Shqipërisë dhe ka disa arsye për këtë interes. Së pari, rritja shumë e lartë ekonomike dhe një ekonomi e qëndrueshme. Arsyeja e dytë është se ka shumë projekte infrastrukturore dhe kjo është një mundësi në këtë vend pikërisht tani. E treta është më shumë një arsye gjeopolitike: e shohim të domosdoshme forcimin e lidhjeve me vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Dhe e katërta janë talentet shumë të aftë në këtë vend, bollëk talentesh. Së fundmi është edhe një vend shumë pro-japonez. Këta janë faktorë shumë të rëndësishëm dhe arsye të mjaftueshme, që ne të forcojmë bashkëpunimin mes dy vendeve tona”.
Z. Ponari, në cilësinë e Presidentit të AJCCI, u shpreh se Dhoma dhe anëtarët e saj synojnë marrëdhënie më të drejtpërdrejta, kudo ku ka përputhje interesash: në tregjet financare jo-bankare dhe tregjet e kapitalit, infrastrukturë, energji, turizëm, prodhim, bujqësi dhe përpunim të ushqimit, digjitalizim, teknologji dhe logjistikë, në frymën e Nismës së Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor të ish-kryeministrit Shinzo Abe.

“Japonia sjell teknologji, menaxhim, standarde cilësie dhe qasje afatgjatë, ndërsa Shqipëria energji sipërmarrëse dhe partnerë që i mbajnë angazhimet”, u shpreh z. Ponari, duke kërkuar kapërcimin nga dialogu te zbatimi, si edhe premtoi mbështetje nga Dhoma për kompanitë japoneze që duan të hyjnë ose të investojnë në Shqipëri dhe rajon. “Është koha që partneriteti ekonomik të bëhet po aq i fortë sa marrëdhëniet politike e diplomatike mes vendeve”, ishte apeli i tij.
Forumi në Tiranë la shenjën e një fillimi të ri në marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Japonisë. Takimet dypalëshe B2B u dhanë kompanive të të dy vendeve mundësinë të njiheshin drejtpërdrejt e të hetonin projekte të përbashkëta. Vlera e këtij forumi do të matet me atë që do të bëhet pas tij. “Mundësitë janë të shumta”, këtë pranuan njëzëri të pranishmit në forum.







