Në një vend ku drejtësia reformohet më shpesh se ndërrohen qeveritë dhe ku çdo krizë mbulohet me fjalën “rilindje”, emri Fatmir Metaj është kthyer në një simbol të pandryshueshmërisë së sistemit të kalbur që gërryen themelin e shtetit shqiptar. Një funksionar me një të kaluar që do të duhej të kishte mbyllur çdo derë publike për të, por që sot vazhdon të mbajë një nga postet më delikate të administratës shqiptare: drejtor në IKMT-në qendrore në Tiranë.
Dhe pyetja e madhe që ngrihet është, si është e mundur që një njeri me histori penale, me lidhje me firmat piramidale të 1997-ës, me dënime gjyqësore të formës së prerë, të vijojë të jetë në krye të një institucioni që ka në dorë vetë mbrojtjen e territorit dhe zbatimin e ligjit?
Shumë shqiptarë e kujtojnë ende vitin e zi 1997, kur mijëra familje humbën gjithçka për shkak të mashtrimit masiv të firmave piramidale. Aty fillon edhe “rrugëtimi” i errët i Fatmir Metajt, përmendur nga ish-investitorë dhe dëshmitarë si një nga drejtuesit e terrenit të disa skemave mashtruese në jug të vendit. Sipas të dhënave jozyrtare dhe dëshmive të përmendura në median e kohës, ai ka qenë aktiv në menaxhimin e parave të qytetarëve, të cilat më pas u zhdukën pa gjurmë, si vetë përgjegjësit.
Një dekadë më vonë, ai del sërish në skenë, këtë herë si funksionar në shtet. Dhe jo në çdo zyrë, por në IKMT, institucionin që ka për detyrë të luftojë ndërtimet pa leje dhe kaosin urbanistik në Shqipëri. Ironike? Më shumë tragjike.
Sipas burimeve të sigurta, Fatmir Metaj është dënuar disa herë nga gjykatat shqiptare. Vendimet janë të qarta dhe të pakundërshtueshme, ndalim ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë të caktuar. Por Metaj nuk është një emër i zakonshëm. Ai është “njeriu i duhur” për sistemin e gabuar. Vendimet gjyqësore nuk e kanë ndalur dot. Ai vazhdon të komandojë IKMT-në, të firmosë dokumente, të mbikëqyrë prishje selektive, e mbi të gjitha, të mos zbatojë asgjë që cënon interesat e atyre që e mbajnë në atë karrige.
Në një sistem ku drejtësia duhej të ishte vija e kuqe, ajo është kthyer në një pelerinë transparente. Vendimet gjyqësore në Shqipëri, nëse nuk kanë “bekimin e partisë” ose “miratimin e klanit”, janë letra që zverdhen në sirtarët e institucioneve.
Nën drejtimin e Fatmir Metajt, IKMT është kthyer në një institucion me selektivitet të frikshëm. Nuk funksionon mbi bazën e ligjit, por mbi bazën e telefonatave dhe interesave dhe korrupsioni. Në jug të vendit, nga Vlora në Sarandë, ndërtimet pa leje lulëzojnë në mënyrë të frikshme. Disa shkatërrohen publikisht, për kamerat. Të tjerat, ato që kanë “leje gojore” nga drejtori rriten kat pas kati, si simbole të paprekshmërisë, favori dhe korrupsioni.
Shumë burime në terren e përshkruajnë drejtuesin si “komandant të heshtur të korrupsionit të betonit”. Sistemi i ndëshkimit të ndërtuesve të paligjshëm nuk zbatohet për të gjithë, por vetëm për ata që nuk pranojnë të hyjnë në lojë.
IKMT, që në teori duhet të jetë institucioni i zbatimit të ligjit, është në praktikë kthyer në institucionin e pazarit të heshtur. Dhe në krye të këtij pazari është “ujku i vjetër” Fatmir Metaj, që nuk njeh pengesa, nuk njeh ligje, dhe mbi të gjitha, nuk njeh turp.
Nëse Shqipëria ka ndonjë shpresë për një të ardhme më të ndershme, ajo nuk mund të ndërtohet mbi themelet që drejtohen nga njerëz si Fatmir Metaj. Të rinjtë që emigrojnë çdo ditë e më shumë nuk largohen vetëm nga papunësia, por edhe nga ndjenja e thellë e padrejtësisë, kur shohin që njerëz me të shkuar të errët jo vetëm nuk ndëshkohen, por gradohen e mbahen në pushtet me krenari nga të njëjtat struktura që flasin për moral dhe reforma.
Drejtësia, nëse dëshiron të ruajë kredibilitetin e saj, nuk mund të mbyllë sytë përballë një rasti si ky. Ministritë përkatëse, institucionet e kontrollit, prokuroria, Avokati i Popullit, duhet të japin llogari pse një person me dënime penale dhe histori të errët vazhdon të komandojë një institucion kaq të rëndësishëm.
Sepse në një vend normal, një drejtues i dënuar për korrupsion largohet me turp. Në Shqipëri, ai rizgjidhet me brohoritje. Fatmir Metaj nuk është një emër. Është një sistem. Dhe për sa kohë ai është në detyrë, askush nuk mund të flasë seriozisht për luftë kundër korrupsionit./InfrontAlbania