Një javë pas ekzekutimit të Edmond Sulës në Bërxullë, autoritetet ende nuk kanë mundur të identifikojnë dhe arrestojnë autorin e dyshuar të ngjarjes.
Mënyra e organizimit të atentatit dhe kujdesi i treguar nga autori kanë vështirësuar ndjekjen e gjurmëve, ndërsa hetuesit vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave dhe motivit të vrasjes.
E shkuara e 50-vjeçarit, e shoqëruar me konflikte të mëparshme, ka bërë që grupi hetimor të shqyrtojë disa pista. Deri tani, verifikimet e kryera nuk kanë sjellë një përfundim konkret, ndërsa ditët e fundit janë duke u analizuar edhe elementë të rinj.
Një nga pistat që po hetohet lidhet me aktivitetin e tij jashtë vendit. Sipas burimeve hetimore, Edmond Sula ka qenë bashkëaksioner në një kompani të licencuar për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut, ku ky aktivitet është i ligjshëm.
Hetuesit po verifikojnë nëse mund të ketë pasur konflikte apo përplasje të lidhura me këtë aktivitet, megjithëse deri në këtë fazë nuk ka prova konkrete që ta lidhin vrasjen me këtë pistë.
Autoritetet shqiptare pritet t’u drejtohen zyrtarisht homologëve maqedonas për të marrë informacion më të detajuar mbi aktivitetin e Sulës dhe personat e përfshirë në këtë biznes.
Paralelisht, policia po heton edhe pista të tjera që lidhen me konfliktet e mundshme të viktimës në komunitet, dyshimet për huadhënie me fajde, përplasjet në fushën e shitblerjes së pronave dhe çështje të tjera të së shkuarës së tij.








