Dita e djeshme u shoqërua me përpjekje për të njollosur figurën e disa aktivistëve dhe intelektualëve të njohur në vend, pasi në rrjet qarkulloi një listë emrash e publikuar nga individë të ndryshëm dhe më pas e shpërndarë edhe nga disa media, duke u paraqitur si “lista e organizatorëve” të protestës qytetare.
Sipas reagimeve të personave të përfshirë, bëhet fjalë për një interpretim të qëllimshëm dhe dashakeq, me synimin për të krijuar përçarje dhe për të dëmtuar frymën e protestës.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe aktivisti Andi Tepelena, i cili ka sqaruar publikisht se lista në fjalë nuk ka asnjë lidhje me organizimin e protestave, por me një nismë qytetare për reformimin e Kodit Zgjedhor, shkruan Maska.al.
“Në përgjigje të mediave të lidhura me regjimin që po bëjnë çmos të shuajnë protestat popullore, sqaroj opinionin publik se protestat popullore që po zhvillohen aktualisht nuk kanë lidhje me nismën qytetare, jo partiake, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, i cili synon përfshirjen direkte të qytetarëve në këtë proces”, shkruan Tepelena.
Ai thekson se prej rreth gjashtë muajsh është pjesë e një procesi konsultimesh me ekspertë ligjorë dhe qytetarë të angazhuar për reformimin e Kodit Zgjedhor, duke shtuar se çdo qeveri tranzitore pas largimit të Edi Ramës do të duhet të marrë në konsideratë propozimet e qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Profesori Kristaq Kume, bëri të ditur se së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u pajisur me fletët tip për mbledhjen e të paktën 20 mijë firmave në mbështetje të një projektligji për ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, percjell Maska.al.
Sipas Kumës, projektligji është rezultat i një procesi të gjatë konsultimesh dhe diskutimesh me përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë, me synimin për të përmirësuar standardet zgjedhore në vend.
Ndër propozimet kryesore janë ndarja e Shqipërisë në katër rajone zgjedhore, listat 100% të hapura, depolitizimi i administratës zgjedhore, mundësia për kandidim përmes “listave qytetare”, votimi për personat me aftësi të kufizuara përmes kutisë së lëvizshme, forcimi i kontrollit mbi financimet politike dhe digjitalizimi i mbledhjes së firmave mbështetëse.
Ndërkohë, edhe aktivistja Etleva Merko ka reaguar përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, ku sqaron se pjesëmarrja e saj ka qenë në një takim konsultues të organizuar nga “Veprimi Qytetar” mbi Reformën Zgjedhore dhe jo në funksion të organizimit të protestave.
“Sot mora pjesë në një takim konsultues mbi Reformën Zgjedhore, të organizuar nga ‘Veprimi Qytetar’, me fokus rolin e qytetarëve dhe shoqërisë civile në hartimin e legjislacionit të ri zgjedhor”, shkruate më herët Merko.
Ajo bën me dije se në takim janë diskutuar tema si financimi i partive politike, veprimtaria e institucioneve publike gjatë fushatave zgjedhore, votimi dhe numërimi elektronik, vota e diasporës, referendumet dhe rishikimi i ligjit për partitë politike.
Merko thekson se demokracia forcohet përmes transparencës dhe pjesëmarrjes reale të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
Publikimi i listës shfaqet si një përpjekje për të krijuar përçarje dhe konfuzion në opinionin publik, duke lidhur padrejtësisht një iniciativë për reformë zgjedhore me protestat qytetare që po zhvillohen në vend.
Pjesëmarrja e individëve të caktuar në protesta si qytetarë nuk i bën ata organizatorë të lëvizjes, ndërsa nisma për ndryshimin e Kodit Zgjedhor mbetet një proces i veçantë dhe i pavarur.







