Një 60-vjeçar ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme pas një konflikti me fqinjn e tij 25-vjeçar. Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:50, në lagjen “Mollaj”.
Sipas njoftimit të bluve 25-vjeçari, Meklan Meçeka qëlluar me thikë Rrapush Memollën, që nuk mundi t’i mbijetoj plagëve të marra.
Nga ana tjetër edhe i riu, që është vendosur në pranga raportohet se ka marrë lëndime të lehta.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e shkaqeve të plota.
Njoftimi i policisë:
Reagimi i menjëhershëm i shërbimeve të Policisë bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e 25-vjeçarit, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti të çastit ku u përdorën mjete prerëse, plagosi një 60-vjeçar, i cili më pas humbi jetën.
Rreth orës 21:50, në lagjen “Mollaj”, Rrogozhinë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta mes shtetasve M. M., rreth 25 vjeç, dhe Rr. M., rreth 60 vjeç, fqinjë me njëri-tjetrin, ku u përdorën mjete prerëse, shtetasi Rr. M. u plagos rëndë dhe më pas humbi jetën, ndërsa shtetasi M. M. u dëmtua lehtë në dorë.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shkuan në vendngjarje dhe, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin M. M.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.








