Në dosjen e SPAK-ut për korrupsionin e Ilir Metës, episodi CEZ-DIA, implikohen në afera korruptive edhe drejtorë dhe deputetë, të cilët çuditërisht nuk janë proceduar nga SPAK-u, edhe pse ata ‘fundosen’ nga dëshmitë e të penduarve, udhëtime, komunikime dhe lëvizje të parave. Krahas deputetit Agron Çela, i cili ka marrë 170 mijë euro nga kompania DIA, e cila me ndërhyrjen e Metës i merrte paratë nga CEZ pa bërë asgjë, në pah si i implikuar del edhe kreu i ERE, Petrit Ahmeti, një personazh kyç i aferës CEZ.

Ish drejtori ekzekutiv i kompanisë DIA, Elvis Mataj, një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës dhe që bënte lëvizjet e parave, ka rrëfyer se Kastriot Ismailaj i ka dhënë 150 mijë euro kreut të ERE, Petrit Ahmeti, asokohe këshilltar i bordit të ERE, me qëllim për të ulur çmimin e energjisë që KESH i shiste CEZ dhe që CEZ më pas ua shiste shqiptarëve, duke fituar dhjetëra milionë euro.
Elvis Mataj ka treguar se administratori i DIA, Kastriot Ismailaj, që ishte eprori i tij në kompani, i ka dhënë 500 mijë euro bordit të ERE për t’i ulur çmimin e energjisë CEZ, ndërsa këshilltarit të bordit si sekser, Petrit Ahmetajt, më vonë kreu i ERE, i ka dhënë 150 mijë euro, shumë të cilën ia ka kaluar pjesërisht. Në vitin 2012, Enti Rregullator i Energjisë mori vendimin për të ulur çmimin me të cilin KESH i shiste energjinë CEZ-it, nga 2.8 lekë për kwh që ishte çmimi, ai u ul në 2.2 lekë për kwh.
Mataj e ka dhënë dëshminë për gazetarin Artan Hoxha pasi kishte informacione se Ilir Meta kishte kontraktuar një grup kriminal për t’a zhdukur si dëshmitar i aferës korruptive, pasi Meta ishte koka e historisë së CEZ-DIA. Një kopje e dëshmisë së Elvis Matajt është dërguar në Ambasadën Amerikane në Tiranë, ndërsa një kopje tjetër është dorëzuar në SPAK. Elvis Mataj, si truri financiar i operacionit korruptiv CEZ-DIA ka rrëfyer detaje rreth aferës, pagesat, urdhërat, kush merrte paratë, sekserët etj. Kjo dëshmi është konsideruar nga SPAK dhe është bërë pjesë e dosjes, pasi përputhet me rezultatin e hetimeve të kryera.
CEZ i jepte para Kastiot Ismailajt jo vetëm për Ilir Metën dhe rrethin e tij, por edhe për të korruptuar ERE-n. Nuk dihet nëse SPAK ka kryer apo po kryen hetime për këtë episod korruptiv të kreut të ERE-s Petrit Ahmeti, i cili vitin e kaluar u emërua nga Kuvendi për një mandat të katërt në krye të ERE, në shkelje pasi ligji parashikon dy mandate.
Petrit Ahmeti ortak me Kastriot Ismailaj
Kreu i ERE Petrit Ahmeti është ortak në biznes me kreun e DIA Kastriot Ismailajn, për të cilin Elvis Mataj thotë se ka korruptuar me 150 mijë euro Ahmetin. Konkretisht, Petrit Ahmeti është bashkëthemelues dhe aksioner me Kastriot Ismailaj në kompaninë ASSET sh.p.k, me nipt L01628004T, e cila bashkë me kompanitë CEZ-DIA ka vjelur në formë abuzuese interesa miliona euro në sektorin e energjisë për vite me radhë.

Nuk e dimë nëse SPAK po heton transaksionet e kësaj kompanie. Me pagë 53 mijë USD në vit, Petrit Ahmeti ka pasur personalisht aksione dhe interesa korruptive edhe në kompani të tjera private në fushën e energjisë, interesa këto të mbajtura në forme guacke nga persona të besuar në këto kompani (si kompania GSA sh.p.k, identifikuar me nipt J61820031J), e cila vjen në formën abuzuese në sektorin e energjisë prej vitesh, duke qenë vetë në funksion kyç publik.
Në maj të vitit 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori kryetarin e Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, Petrit Ahmetin, duke e akuzuar se i ka shkaktuar një dëm prej 9 milionë euro buxhetit të shtetit.
Dosja u mbyll në mënyrë korruptive. Se si është mbyllur kjo dosje dhe kush ka firmosur, duhet të jetë objekt hetimi nga SPAK-u. Vjedhjet janë kryer gjatë kohës kur Ahmeti i shërbente Ilir Metës.
Në 10 tetor 2013, Petrit Ahmeti u emërua nga Kuvendi në krye të bordit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE). “Suksese Petrit Ahmetit se ka punë të vështirë”, tha Ilir Meta pasi dha rezultatin e votimit si kryetar Kuvendi.
Emri i kreut të ERE-s, Petrit Ahmeti është përmendur në dosjen e Arbitrazhit në dëshminë e ish-drejtorit të CEZ-it në Shqipëri, Josef Hejsek, dhënë në 26 tetor të vitit 2014.
Në dëshminë e tij, Hejsek pohon se ka qenë ish-ambasadori i Shqipërisë në Pragë, i ndjeri Qazim Tepshi i cili ka rekomanduar Kastriot Ismailajn si një mbledhës të borxheve të jashtme të CEZ-it. Më pas, së bashku me Ismailajn, Hejsek deklaron se ka shkuar në zyrën e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha, ku ishin të pranishëm edhe ish-kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta dhe kryetari aktual i ERE-s, Petrit Ahmeti, në atë kohë këshilltar zyrtar i Bordit të ERE-s.
Ai jo vetëm ishte pjesë e grupit të Metës dhe Ismailajt që realizoi aferën CEZ-DIA, por rezulton aksioner me Kastriotin edhe në kompani të tjera me histori korrupsioni më vete.
/Prapaskena/