Pak ditë më parë AKU njoftoi bllokimin e një sasie prej 112 kg djathtë bebe të shkrirë, ” për mosdeklarim të të gjithë përbërësve ushqimorë në etiketë.
Në njoftimin e AKU thuhej se në kuadër të Programit të Punës mbi nisjen e hetimeve në stabilimentet prodhuese, përpunuese dhe ambalazhuese të qumështit dhe nënprodukteve të tij, janë kryer marrje mostre dhe kontrolle zyrtare, në këto subjekte.
“Nga analizimi i produktit “djathë bebe i shkrirë” i mostruar në stabilimentin e përpunimit “E”, ka rezultuar me përmbajtje të yndyrnave bimore”, njofton AKU.
Në njoftimin e AKU nuk jepej emri i produktit dhe as përbërit e ndaluar që ishin gjendur në të, që çuan më pas në bllokimin e sasisë prej 112 kg djath bebe.
Qendra ALERT përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se përdorimi i vajit të palmës në produktet me origjinë shtazore është thuajse masiv, ndonëse në etiketat që shoqërojnë produktet nuk deklarohet si përbërës.
Në njoftimin e AKU nuk jepej as emri i subjektit dhe as lloji i djathit, duke krijuar në këtë mënyrë një situatë konfuze, përfshi këtu nuk thuhej as produkti i palejuar që ishte në përbërje, në rastin konkret vaji i palmës.
Qendra ALERT ka mundur të mësojë emrin e kompanisë, analizat që i janë bërë kampionëve dhe rezultatet.
“Bëhet fjalë për Djath Bebe EKA, prodhim i kompanisë EKA – 2001, me Nipt K213070011 dhe adresë Rruga e Kavajës, 600 metër nga Lapidari i Pezës.
Inspektorët e AKU kanë marrë mostra për t’i analizuar për përbërësit, si dhe ngarkesat mikrobiologjike. Këto të fundit janë analizuar në laboratorin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë Tiranë dhe kanë rezultuar konform. Ndërsa për përbërësit e produktit, mostrat janë dërguar në laboratorin e Mjekësisë Veterinare në Shkup (Maqedonia e Veriut). Ky laborator ka ncjerrë si rezultat se, në djathin e shkrisë (djath bebe) EKA, ka prani të vajit të palmës, i padeklaruar në etiketë.
Certifikata e analizës mban numrin Nr. 2023/9/65, datë përfundimi testimi 13.09.2023 për numrin e kërkesës 7884, si dhe njoftimit te subjektit Eka -2001. Ky dokument është protokolluar në AKU e Tiranës me nr. 10419, datë 03.11.2023.
Djathi që ka rezultuar me prani të vajit të palmës me emërtimin “Djath i shkrirë Eka Bebe” mban datën e prodhimit 22.08.2023 dhe afat përdorimi deri më 22.02.2024.
Megjithëse thuhet se subjekti ka bërë njoftimin për tërheqjen nga tregu të kësaj sasie, dhe sipas raportit të AKU u tërhoqën nga tregu 103 copë x 140 gramë dhe u bllokuan në ambientet e subjektit”, shprehet Qendra ALERT në reagimin e saj në rrjetin social.
Megjithatë, AKU është ndalur në analizimin e një loti me datë prodhimi e afat përdorimi të lartpërmendur, por askush nuk garanton që sasitë e mëparshme të hedhura në treg dhe që lehtësisht mund të gjenden sot në markete, janë tërhequr plotësisht.
AKU është mjaftuar vetëm me një gjobë ndaj subjektit në vlerën e 100 mije lekëve, produkti nuk është asgjësuar, por vetëm do të rietiketohet nga subjekti e do të rihidhet në treg, ndoshta edhe me data tjera prodhimi e skadence.