Gjykata e Vlorës ka lënë në burg Elvis Kosovën, i njohur si “Visi i Garave”, pas arrestimit të tij në një resort në Palasë.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua ditën e sotme, ndërsa gjyqtari Nertil Meçaj pranoi kërkesën e Prokurorisë për masën “arrest në burg”.
40-vjeçari u arrestua më 23 gusht pas një konflikti familjar në një vilë në Palasë, ku sipas Policisë dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur me armë bashkëshorten e tij. Gjatë ndërhyrjes, efektivët gjetën një pistoletë të fshehur te kutia e tubave të ujit.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e tij në Tiranë, Policia sekuestroi edhe dy pako me municion luftarak dhe krehra me fishekë.
Me vendimin e sotëm, Gjykata ka lënë në fuqi kërkesën e organit të akuzës për vijimin e qëndrimit të Kosovës në qeli, ndërsa hetimet për rrethanat e ngjarjes vijojnë.







