Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar sot, ku gjashtë efektivë mbetën të plagosur.
Në një reagim publik, Demo u ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo akt dhune, duke nënvizuar se përgjegjësia e të gjithëve në këtë situatë është ulja e tensioneve dhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm.
“E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, është shprehur ministri.
Demo u ka uruar shërim të shpejtë efektivëve të plagosur, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tij për ta dhe familjet e tyre.
Ai ka theksuar se Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë misionin e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke respektuar njëkohësisht të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore dhe duke vepruar në përputhje me ligjin.
Në përfundim, ministri u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të tregojnë përgjegjshmëri dhe vetëpërmbajtje, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të situatës dhe ruajtjen e qetësisë publike.







