Disa muaj pas tragjedisë që tronditi familjen dhe shoqërinë, janë zbardhur detaje të reja për vdekjen e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila humbi jetën më 25 tetor 2024, pasi ra nga tarraca e një pallati.
Fillimisht u dyshua se mund të kishte qenë vetëvrasje, por hetimet kanë nxjerrë një skenar tjetër.
Autopsia, e kryer nga mjeku ligjor Giovanni Cecchetto, sugjeron se dëmtimet në pjesën e pasme të kafkës tregojnë se Aurora mund të jetë shtyrë, dhe jo se ka hedhur veten.
Kjo hipotezë përputhet me hetimet, të cilat kanë çuar në arrestimin e ish-të dashurit të saj, një 15-vjeçar i cili akuzohet për vrasje me dashje.
Nga hetimet, ka rezultuar se Aurora kishte fraktura të shumta, veçanërisht në kokë, të cilat shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Dëmtime të tjera janë gjetur në duar, duke ngritur dyshime për një përpjekje për t’u mbrojtur.
Dëshmitarët që kanë parë ose dëgjuar ngjarjen kanë treguar se Aurora ishte parë e varur pas parmakut, ndërsa i dashuri i saj po e godiste me grushta mbi duar për ta shtyrë të bjerë.