Më 20 gusht, në Pustec, bashki e banuar kryesisht nga pjesëtarë të pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri, u zhvillua Festivali Folklorik “Prespa 2026”.
Sipas njoftimit paraprak të agjencisë shtetërore maqedonase MIA, festivali mbahej nën kujdesin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe organizohej nga Shoqata Maqedonase “Prespa”, shoqata “VMRO-DPMNE Albania” dhe Bashkia Pustec.
Ceremonia e hapjes nisi me interpretimin e himnit të Maqedonisë së Veriut, kurse himni kombëtar shqiptar nuk u luajt. Në pamjet e publikuara nga mediat, pranë Mickoskit shihen kryebashkiaku Pali Kolefski dhe Edmond Themelko, ish-kryebashkiak i Pustecit dhe një prej organizatorëve të aktivitetit.
Brenda pak orësh, ngjarja u raportua me tituj si “Mickoski ‘provokon’ në Shqipëri, shmanget himni shqiptar në Pustec”, “Mickoski vizitë në Pustec, ‘harrohet’ sërish himni shqiptar”, “Ndodh për herë të dytë në Pustec/ Kryeministri maqedonas Mickoski vjen në Shqipëri, nuk respektohet himni shqiptar” dhe “Skandal me himnet/ Mickoski në Pustec,në territorin shqiptar ekzekutohet vetëm ai maqedonas”.
Disa raportime e përfshinë Mickoskin si shkaktarin e mos luajtjes së himnit, ndërsa të tjera e paraqitën rastin si përsëritje të një situate të ndodhur më herët në Pustec
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Më 21 gusht, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi publikisht, duke theksuar se prania e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe e kryebashkiakut të Pustecit i jepte aktivitetit një karakter të veçantë publik.
“Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit.”
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shtoi se respekti për simbolet kombëtare është pjesë e etikës institucionale dhe e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.
Kryebashkiaku Pali Kolefski
Pas ceremonisë, po atë mbrëmje, Pali Kolefski kërkoi ndjesë dhe tha se e kishte kërkuar paraprakisht përfshirjen e himnit shqiptar në program.
“I kam kërkuar programin zyrtar, ku më kanë thënë që ka këngë e valle tradicionale maqedonase dhe do të hapet me himnin maqedonas. I kam kërkuar që, në momentin që do të ekzekutohet himni maqedonas, duhet të jetë patjetër edhe himni shqiptar, sepse është në çdo protokoll, në çdo pritje zyrtare ose hapje të ceremonive zyrtare.”
Kolefski tha se Bashkia Pustec nuk kishte qenë organizatore e festivalit, por e ftuar.
“Kërkoj ndjesë, vërtet, pavarësisht se nuk më takon mua, sepse s’kam qenë organizator si Bashki e Pustecit. Kemi qenë të ftuar në këtë koncert. Megjithatë, kërkoj ndjesë. Edhe kryeministri maqedonas nuk e priti mirë këtë”
Rasti i parë në Tuminec
Më 10 maj 2026, Mickoski mori pjesë në Tuminec të Pustecit në inaugurimin e një përmendoreje kushtuar të rënëve të Luftës së Dytë Botërore. Vizita u pasqyrua nga media shqiptare, kryesisht me fokus te ceremonia përkujtimore dhe fjalimi i Mickoskit për identitetin maqedonas.
Një situatë e ngjashme me mungesën e himnit shqiptar u raportua atë ditë kryesisht nga media shqipfolëse në rajon. Në Shqipëri rasti nuk mori jehonën publike, politike dhe institucionale që mori episodi i 20 gushtit.
Himni në fund të festivalit
Pamjet e ceremonisë së hapjes tregojnë interpretimin e himnit maqedonas pa himnin shqiptar.
Më pas, Edmond Themelko publikoi një video nga fundi i festivalit, ku dëgjohet himni shqiptar. Në reagimin e tij, ai shkroi:
“Pretendimi se Himni Kombëtar Shqiptar nuk është ekzekutuar është i pavërtetë”
Themelko tha se himni shqiptar ishte luajtur në fund të festivalit, si shenjë respekti ndaj vendit pritës dhe komunitetit shqiptar. Postimi i tij shoqërohej me pamje të filmuara në errësirë. Pamjet e publikuara nga Themelko dukshëm i përkasin orëve të vona të darkës. Ato dallojnë nga pamjet e nisjes së ceremonisë të filmuara në dritën e ditës.
Në një komunikim me Faktoje, gazetari Xhensil Shkëmbi, që ishte i pranishëm gjatë ceremonisë, tha se himni shqiptar u luajt në mbyllje të festivalit, pasi ishte publikuar lajmi për mungesën e tij në hapje.
Mesazhi i Mickoskit
Në mesazhin e tij për festivalin, Mickoski u fokusua te komuniteti maqedonas në Prespën e Vogël dhe mbështetja nga qeveria e tij për gjuhën, kulturën dhe traditën maqedonase.
“Prespa e vogël është dëshmi se kufijtë mund të ndajnë territore, por nuk mund të fshijnë gjuhën, kulturën dhe ndjenjën e përkatësisë… Dërgoj mesazhin se Maqedonia është me ju”
Ai tha se qeveria e tij do të vazhdonte të forconte bashkëpunimin dhe mbështetjen për gjuhën, kulturën dhe traditën maqedonase. Postimi i Mickoskit nuk e trajton mungesën e himnit shqiptar në ceremoninë e hapjes.
Reagimi i Edi Ramës
Kryeministri Edi Rama reagoi pas deklaratës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ai mbrojti Kolefskin, duke thënë se kishte kërkuar që himni shqiptar të luhej.
“Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij.”
Rama e cilësoi gjithashtu episodin “cirk të nacional-folklorizmit ballkanik” dhe tha se Shqipëria nuk do të përgjigjej “me të njëjtën monedhë”.
Reagimet e opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e konsideroi kryebashkiakun e Pustecit përgjegjësin kryesor për protokollin e ceremonisë.
“Kryetari i bashkisë është përgjegjësi kryesor i atij protokolli dhe fajin na e paska një shoqatë”
Berisha kritikoi reagimin e Ramës dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Deputeti demokrat Belind Këlliçi e lidhi episodin me politikën e jashtme të qeverisë.
“Injorimi i Himnit dhe simboleve tona kombëtare dje në Pustec, në prani të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, është më shumë se një incident protokollar”
Sipas Këlliçit, ngjarja kërkonte reagim më të fortë institucional.
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji e quajti rastin “të papranueshëm, fyes dhe skandaloz”.
“Pusteci është shtëpi e qytetarëve shqiptarë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Respekti për minoritetet është detyrim i shtetit shqiptar, por respekti për shtetin, simbolet kombëtare dhe institucionet e tij është detyrim i çdo qytetari dhe çdo institucioni vendor”
Reagimi i Salianjit iu drejtua Bashkisë Pustec dhe institucioneve përgjegjëse.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi që episodi të trajtohej “me seriozitet dhe jo me tallje e përçmim ndaj një komuniteti të tërë”. Qëndrimi i Blushit u fokusua edhe te komuniteti maqedonas i Pustecit./FAKTOJE,AL







