Tetë persona janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore pas lëndimeve të marra gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sipas së cilës mes të lënduarve janë dy efektivë policie, dy protestues dhe katër kalimtarë të rastit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjashtë prej tyre u paraqitën në Spitalin Universitar të Traumës, ndërsa dy të tjerë morën trajtim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Tre nga kalimtarët e lënduar u shtruan për mjekim të mëtejshëm, ndërsa njëri iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila përfundoi me sukses. Gjendja e pacientit raportohet e mirë.
Aktualisht, në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të jenë të shtruar nëntë persona të lënduar gjatë protestave, mes tyre katër protestues, një efektiv policie, një përfaqësuese e medias dhe tre kalimtarë të rastit.
Ndërkohë, dy personat që morën trajtim në QSUT, një efektiv policie dhe një protestues, janë larguar nga spitali që ditën e djeshme.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nga 13 deri më 21 tetor 2026, numri i përgjithshëm i të lënduarve gjatë protestave ka arritur në 320 persona.
Prej tyre, 192 janë efektivë të Policisë së Shtetit, 92 protestues dhe 36 kalimtarë të rastit. Në mesin e këtyre të fundit janë edhe gjashtë përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve i huaj.
Të dhënat janë përmbledhur nga strukturat shëndetësore, përfshirë Spitalin Universitar të Traumës, QSUT-në dhe spitalet rajonale në Durrës, Vlorë dhe Lezhë.







