Studentët dhe pedagogët kanë refuzuar për të dytën ditë radhazi ftesën për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke larguar karriget e vendosura para godinës së Kryeministrisë. Protestuesit kanë vijuar me thirrjet “Dorëheqje!”, duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë.
Edhe një ditë më parë, Rama kishte vendosur karrige përpara Kryeministrisë, me qëllim zhvillimin e një takimi me studentët. Megjithatë, edhe atëherë, studentët i refuzuan ftesën dhe hoqën karriget e vendosura për dialog.
Protesta e sotme shënon ditën e nëntë të tubimeve studentore, përmes të cilave të rinjtë kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre dhe reagim ndaj shqetësimeve të ngritura.
Ndryshe nga ditët e kaluara, kësaj here protestës i janë bashkuar edhe pedagogët e universiteteve publike, të cilët kanë nisur bojkotin e procesit mësimor.
Fillimisht, studentët dhe pedagogët u mblodhën pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, prej nga nisën marshimin përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë. Para godinës së qeverisë, ata vijuan protestën dhe thirrjet kundër kryeministrit.







