Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku është njohur zyrtarisht me vendimin për zgjatjen e afateve të hetimit deri në janar të vitit 2027.
Balluku ka qëndruar rreth 30 minuta në SPAK, e shoqëruar nga avokati i saj, Ardian Kalia. Hetimet ndaj saj lidhen me dyshime për shkelje të barazisë në procedurat e tenderimit, ku përfshihen projekti i tunelit të Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Madhe të Tiranës.
Ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë po hetohet gjithashtu për procedura të tjera prokurimi, ndërsa dosja përfshin edhe dyshime për korrupsion dhe pastrim parash.
Në një njoftim zyrtar, SPAK bëri të ditur se Ballukut i janë komunikuar zyrtarisht disa akuza penale, mes tyre shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, korrupsioni pasiv, mosdeklarimi ose fshehja e pasurisë, si dhe pastrimi i produkteve të veprës penale.
Ndërkohë SPAK në një njoftim zyrtar bën me dije se i ka komunikuar zyrtarisht akuzat Ballukut.
• “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
• “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
• “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
• “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
• “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).
Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.







