Qeveria italiane planifikon të dislokojë edhe 500 ushtarë në Milano, pas dy ditësh përleshjesh dhe aktesh vandalizmi që kanë tronditur qytetin. Gjatë trazirave, protestuesit janë përplasur me policinë, kanë djegur kazanë mbeturinash, kanë plaçkitur dyqane dhe kanë shkaktuar dëme në prona.
Lajmi është bërë i ditur nga zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini, njëherazi drejtues i partisë së djathtë Liga. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai theksoi se qeveria do të ndërmarrë masa konkrete për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Shtimi i pranisë ushtarake pritet të jetë pjesë e paketës së re të sigurisë, e cila do të diskutohet në mbledhjen e kabinetit qeveritar të martën.
Ndërkohë, frika nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës ka detyruar shumë biznese në qendër të Milanos të mbyllen më herët dhe të mbrojnë vitrinat me dërrasa e panele. Gjatë fundjavës, qindra protestues, mes tyre edhe persona të dyshuar si të mitur, u përfshinë në akte dhune pas një demonstrate që fillimisht ishte zhvilluar në mënyrë paqësore.
Protestat u organizuan kundër përkeqësimit të shërbimeve publike dhe rritjes së kostos së jetesës. Gjatë trazirave u raportuan dëmtime dhe plaçkitje në disa biznese, përfshirë dyqanet e markave sportive Decathlon dhe Arc’teryx, si dhe në ambientet e operatorit të telefonisë celulare Vodafone.
Edhe në zonat më të shtrenjta tregtare të qytetit, si Via Montenapoleone dhe Galleria Vittorio Emanuele, tregtarët kanë marrë masa shtesë sigurie, duke larguar mallrat nga vitrinat për të shmangur dëmet e mundshme.
Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi aktet e dhunës dhe zhvilloi të hënën një takim me ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të sigurisë, ku situata në Milano ishte në qendër të diskutimeve.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi se autoritetet do të reagojnë me vendosmëri ndaj sulmeve kundër institucioneve dhe shtetit. Ai paralajmëroi gjithashtu masa për të parandaluar përfshirjen e të miturve në akte të dhunshme.







