Avokati i Popullit ka evidentuar disa problematika gjatë monitorimit të protestës së 20 tetorit në Tiranë, mes tyre pretendime për dhunë policore, mbipopullim në ambientet e shoqërimit dhe mungesë të hapësirave të posaçme për të miturit.
Përmes një komunikate për shtyp, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, në varësi të institucionit të Avokatit të Popullit, bëri të ditur se grupet monitoruese kanë inspektuar Komisariatin e Policisë nr. 2, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin Universitar të Traumës.
Institucioni thekson se konstatimet e deritanishme janë paraprake, ndërsa procesi i verifikimit dhe hetimit të mëtejshëm vijon.
Sipas të dhënave të mbledhura gjatë monitorimit, në ambientet e Komisariatit nr. 2 u gjetën dy persona madhorë, të cilët u liruan gjatë kohës që po zhvillohej inspektimi.
Ndërkohë, në Bllokun e Sigurisë ndodheshin 118 persona, nga të cilët 36 ishin arrestuar gjatë orëve të fundit. Në të njëjtat ambiente mbaheshin edhe gjashtë të mitur, çka ka ngritur shqetësime lidhur me kushtet e qëndrimit dhe mungesën e hapësirave të veçanta për këtë kategori.
Gjatë monitorimit, përfaqësuesit e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës kanë administruar gjithashtu gjashtë ankesa për pretendime për ushtrim dhune në lidhje me ngjarjet e 20 tetorit. Të gjitha ankesat janë marrë në Bllokun e Sigurisë.
Avokati i Popullit vijon verifikimet për të sqaruar rrethanat e raportuara dhe për të vlerësuar respektimin e të drejtave të personave të ndaluar.







