Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në burg, Leonard Luzin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Amarildo Nikolli dhe Muharem Koroveshi, të cilët akuzohen se porositën vrasjen e Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn.
Pas shqyrtimit të çështjes në apel, trupi gjykues vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke dënuar Leonard Luzin me 7 vite e 4 muaj burg dhe Amarildo Nikollin me 2 vite e 9 muaj burg.
Ndersa per Muharem Koroveshin u la vendimi i denimit me 10 vite burg.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 19.05.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 20 akti, datë 19.02.2025 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit L.L. (Z., S.), kundër vendimit nr. 04, datë 10.01.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L. (Z., S.), për kryerjen e veprës penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 4 (katër) vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” të shtetasve E.M., i njohur me pseudonimin “Q.” dhe I.H., i njohur me shkurtim emri “I.”, ose me nofkën “***”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit A.N., dhe M.K., të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vite burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit L.L., për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit A.N., dhe M.K., parashikuar nga nenet 278/1, dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 10(dhjetë) vite burgim.
- Ne aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit L.L. (Z., S.) me një masë të vetme prej 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin L.L. fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit A.N., për kryerjen e veprës penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 2 (dy) vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit A.N., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” të shtetasve E.M., i njohur me pseudonimin “Q.” dhe I.H., i njohur me shkurtim emri “I.”, ose me nofkën “***”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit L.L., dhe M.K., të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit A.N., për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit, L.L. dhe M.K., parashikuar nga nenet 278/1, dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.
- Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit A.N. me një masë të vetme prej 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
- Në bazë të nenit 28/7 të Kodit Penal si dhe nenit 37/a të K.Pr.Pernale, uljen e dënimit dhe, dënimin përfundimtar të të pandehurit A.N., me 2 (dy) vite e 9 (nëntë) muaj burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin A.N. fillon nga dita e arrestimit të tij, dhe të kryhet në një nga Institucionet e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpuntorëve të Drejtësisë.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit M.K. (alias M.I. alias M.M.), për kryerjen e veprës penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 2 (dy) vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit M.K., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” të shtetasve E.M., i njohur me pseudonimin “Q.” dhe I.H., i njohur me shkurtim emri “I.”, ose me nofkën “***”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit A.N., dhe L.L., të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 7(shtatë) vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit M.K., për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit, L.L. dhe A.N., parashikuar nga nenet 278/1, dhe 28/4, të Kodit Penal, dhe, në bazë edhe të nenit 334 paragrafi i parë i Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.
- Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit M.K. me një masë të vetme prej 10 (dhjetë) vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 6 (gjashtë) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
- Bazuar në nenin 190 të K.Pr.Penale, prova materiale që është:
-një pistoletë e markës Pietro Beretta, Mod 92 FS, cal.9, me një selenciator me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin GEMTECH SPRINGFIELD MA U.S BOISE I.D, G.M, 7.9 MMGEMTECH, COM/PATENS dhe 10 fishekë të kalibrit 9 mm, konform nenit 36 të K.Penal, të kalojnë në favor të shtetit.
-Prova materiale:
-një telefon celular i markës Iphone, model A 2221, me numër IMEI *** dhe kartë SIM me numër serial ***;
-Një DVR me ngjyrë të zezë me shënimin Digital Vidio Recorder, alhua, me numër serie DHI-XVR108HS-4KL e kamerave të sigurisë së Pastiçerisë ***;
-Një CD me pamjet filmike të pastiçeri ***;
-Një CD me pamjet filmike të Bar ***;
-Një CD me pamjet filmike të hyrjes së Pallatit në afërsi të Shkollës së Mesme ”Qemal Ataturk”;
-Një CD e aktit te ekspertimit;
-CD e ardhura nga Kompanitë celulare, të bëhen pjesë e fashikullit.
- Shpenzimet hetimore në masën 37,785 (tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e pesë) lekë si dhe ato gjyqësore (sipas proçesverbalit bashkëlidhur), ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.
- Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të arsyetuar të këtij vendimi.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 4, datë 10.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
- Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.