Kroacia ka bllokuar një ngarkesë me fiq të thatë të importuar nga Shqipëria, pasi analizat laboratorike kanë evidentuar nivele të larta të aflatoksinës B1, një substancë toksike që paraqet rrezik për shëndetin e njeriut.
Sipas të dhënave të sistemit europian të alarmit të shpejtë për ushqimin dhe ushqimin për kafshë (RASFF), produkti është konsideruar i papërshtatshëm për konsum, ndërsa ngarkesa pritet të asgjësohet.
Aflatoksina B1 është një mykotoksinë e prodhuar nga disa lloje myku, e cila mund të zhvillohet në produkte bujqësore në kushte të caktuara të ruajtjes dhe lagështisë. Prania e saj në ushqime përbën shqetësim për sigurinë ushqimore, për shkak të efekteve të mundshme toksike në organizëm.
Ekspozimi ndaj kësaj substance mund të shkaktojë dëmtime akute dhe kronike, ndërsa mëlçia është organi që preket kryesisht. Në rastet e ekspozimit ndaj sasive të larta, mund të shfaqen simptoma si dhimbje barku, të vjella, verdhëz dhe, në raste të rënda, konvulsione.
Përveç efekteve akute, ekspozimi afatgjatë ndaj aflatoksinës B1 lidhet me rritjen e rrezikut për zhvillimin e tumoreve, veçanërisht të kancerit të mëlçisë.
Bllokimi i kësaj ngarkese nga autoritetet kroate vë në pah rëndësinë e kontrolleve laboratorike dhe të standardeve të sigurisë ushqimore për produktet që tregtohen brenda tregut europian.







