Bizele te kontaminuara me bakterin e rrezikshëm Listeria Monocytegenes janë importuar në Shqipëri nga Polonia.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se ka hequr nga tregu një seri të këtij produkti, pasi përbënte rrezik serioz për konsumatorët.
“Bazuar kontrolleve zyrtare të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në terren, ka rezultuar se produkti bizele e ngrirë e importuar nga Polonia, pas analizimit është konstatuar me praninë e Listeria Monocytegenes me risk serioz për shëndetin e njeriut“, njofton AKU.
Sipas përshkrimit, bizelet janë të ngrira dhe të paketuara. Bizele te ngrira (FROZEN PEAS) HORTEX, paketim 400 gramësh. Etiketimi mban datën e skadencës 16/09/2026 dhe Lot: S0C 1160924.
Megjithë tërheqjet nga tregu të këtij loti, nëse dikush konstaton në markete apo i ka endë në shtëpi të pagatuara, të refuzojë blerjen e tyre ose t’i kthejë menjëherë në dyqanin ku i ka blerë.
Çdo vit, në mbarë botën, vdesin qindra njerëz si pasojë e një bakteri specifik që quhet Listeria. Listeria është një lloj bakteri, emri i plotë i të cilit është Listeria monocytogenes dhe shkakton një infeksion që quhet listerioza.
Ky infeksion shkaktohet pas konsumit të ushqimeve dhe pijeve të ndotura. Listeria nuk është aq i përhapur sa salmonella që është një tjetër virus vdekjeprurës, megjithatë nuk duhet neglizhuar sepse në 25% të rasteve të infeksioneve janë fatale.